Gazetarët palestinezë mbajnë në duar portretin e Yasser Murtaja, gjatë ceremonisë së varrimit të tij në Gaza. 7 prill 2018 - Foto: REL/AFP

Izraeli: Gazetari i Vrarë në Gaza Ka Qenë Anëtar i Hamasit

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit ka thënë se gazetari palestinez, i vrarë gjatë protestave në kufirin në mes të Rripit të Gazës dhe Izraelit, ka qenë pjesëtar i grupit islamik Hamas.

Këto pretendime janë hedhur poshtë menjëherë nga një koleg i gazetarit të vrarë, Yasser Murtaja.

Ministri Avigdor Lieberman u ka thënë gazetarëve se Murtaja ka qenë “terrorist dhe ka pasur lidhje të me Hamasin”, duke pretenduar se ai ka pasur “gradë të ngjashme me të kapitenit” brenda këtij grupi, transmeton AFP.

Ai ka thënë se gazetari i vrarë është paguar nga Hamasi që prej vitit 2011 dhe se ka përdorur dron për të mbledhur informacione për forcat izraelite që qëndrojnë përgjatë kufirit.

Megjithatë, ministri izraelit nuk ka ofruar asnjë dëshmi për pretendimet e tij.

Gazetari Murtaja ishte plagosur rëndë gjatë protestave përgjatë kufirit, dhe më pas kishte vdekur nga plagët e marra. Në fotografitë e postuar, ai shihet në një barrelë mjekësore dhe ka të veshur një jelek ku shkruhej fjala “Press”.

Ushtria izraelite nuk ka thënë se nëse gazetari është qëlluar qëllimshëm apo aksidentalisht.

Që prej 30 marsit, 31 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite, gjatë protestave përgjatë kufirit.

Izraeli ka refuzuar kërkesat ndërkombëtare për hetim të pavarur mbi protestat e dhunshme. (REL)