Avdullah Hoti | Foto: KALLXO.com

Hoti: Vendi do Ishte më Mirë pa Këtë Qeveri

Avdullah Hoti, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, duke analizuar raportin për punën 100 ditëshe të Qeverisë Haradinaj, konstatoi se më mirë do të ishte pa këtë qeveri.

“Ju garantoj që vendi do ishte më mirë pa këtë qeveri”, tha Hoti.

Ai deklaroi se e vetmja punë e madhe që kreu qeveria në 100 ditë është madhësia e kabinetit qeveritar.

“E vetmja punë e madhe që është krye në këtë qeveri është madhësia e kabinetit qeverisës me afër 70 zëvendësministra, 22 ministra që në total bashkë me stafin komplet shkojnë në 520 anëtarë të kabinetit qeveritar”, tha Hoti.

Ai çështjen e demarkacionit e vlerësoi “kauzë politike për të ardhur në pushtet.

Hoti tha se Qeveria Haradinaj nuk ka platformë për dialogun me Serbinë.

“Nuk ka platformë të qartë të dialogut, nuk ka asnjë hap konkret të qeverisë në këtë drejtim. Ne kemi kërku që kjo platformë të diskutohet dhe të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendi të marrë rol aktiv në këtë drejtim”, tha Hoti.

Liberalizimin e vizave, Hoti e konsideroi një mshtrim tjetër të Qeverisë Haradinaj.

“As nuk është tentu të merret ndonjë hap konkret, përkundrazi situata ka degradu. Komisioni Europan ka kthy kushtin për luftim të korrupsionit, si kusht për liberalizimin e vizave”, tha Hoti.

Ai u kërkoi gazetarëve që të pyesin qeverinë nëse ka paguar dënimin për skandalin e pasaportave kompanisë OeSD.

Hoti raportin e Qeverisë Haradinaj për punën 100 ditëshe e vlerësoi të “dobët, të shkruar keq dhe të pasaktë”.

“90 për qind të detyrave që janë raportu në këtë raport janë të kryera nga qeveria e kaluar”, tha Hoti.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dënoi deklaratën e Nasim Haradinajt, duke e cilësuar skandaloze.

Dje Haradianj që është përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës në RTV Dukagjini tha “Punë e madhe që janë vra anëtarët e LDK-së”.

“Është një deklaratë skandaloze jashtë çdo etike njerëzore, është fyerje për familjarët që janë gjallë. Unë pres që anëtarët e tjerë të kësaj organizate si dhe nga Qeveria të distancohen”, tha Avdullah Hoti.

Ai nuk tregoi se a do ta bojkotojë LDK-ja fjalimin e nesërm vjetor në Kuvend të Presidentit Hashim Thaçi.

Por për Hotin “Presidenti Thaçi nuk e ka luajtur rolin unifikues gjatë vitit 2017”.