Foto: Kallxo.com

Haradinaj mbledh ambasadorët për FSK-në: Jemi gati të bëhemi partnerë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shfaqi sot para ambasadorëve të huaj të akredituar në Kosovë synimin e institucioneve të Kosovës që ta përfundojnë punën e mbetur pezull të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Në një takim që po e zhvillon me diplomatë të huaj dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë, Haradinaj foli për procesin e transformimit të FSK-së.

“Jemi gati të bëhemi partnerë, partnerë për paqe, me forcën tonë”, tha Haradinaj.

Sapo e përfundoi fjalimin hyrës, mediat janë nxjerrë nga salla për t’i lënë vend diskutimeve prapa dyerve të mbyllura.

“Arsyeja pse kemi kërkuar praninë tuaj është që t’ju informojmë për përpjekjet që FSK po i bën në mandatin aktual, arritjet e FSK-së dhe perspektivën e transicionit të FSK-së në ushtri të Kosovës”, tha Haradinaj.

Ai tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një proces të brendshëm të konsultimeve dhe diskutimeve me të gjithë partnerët politikë dhe komunitetet etnike.

“E kemi mbajtur dialogun me të gjithë partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë dhe jemi të zotuar që ta vazhdojmë këtë dialog. FSK sot është multietnike dhe të gjithë kosovarët, përfshirë edhe serbët, edhe ata të veriut, janë pjesë e FSK-së. Meqë jemi në vendin tonë, në Kosovë, jemi në shtëpinë tonë. Kosova është shtëpia jonë”, tha ai.

“Duam t’ju konfirmojmë zotimin tonë se jo vetëm FSK e sotme por edhe Forca e Armatosur e ardhshme është forcë për secilin qytetar që jeton në vendin tonë, është partner për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon dhe është vetëm një plotësim për mandatin e KFOR-it në vendin tonë dhe nuk është në kundërshti me mandatin e KFOR-it”, shtoi kryeministri.

“KFOR është i mirëseardhur tani dhe gjithmonë si forcë e sigurisë në mandarin e saj me të cilin na ka ndihmuar në sigurinë e popullatës tonë por edhe në rajon”.