Jack Ma - Themelues i Kompanisë Alibaba, Foto: Forumi Ekonomik Botëror

Gratë, Sekreti i Suksesit të Kompanisë 'Alibaba'

Ma Yun i njohur me emrin professional si Jack Ma i cili është themeluesi i kompanisë Alibaba në fjalimin e tij të mbajtur në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës ka thënë se sekreti i suksesit të të Kompanisë Alibaba janë gratë.

“49 për qind e kolegëve janë gra dhe afër 37 për qind e menaxhmentit janë gra. Gratë sakrifikojnë më shumë, kur ato duan diçka, kur besojnë në diçka ato vazhdojnë ta bëjnë. Një nga sekretet e suksesit të kompanisë Alibaba besoj se kanë qenë gratë”, ka theksuar Jack Ma në fjalimin e tij në Davos.

Jack Ma para të pranishmëve ka thënë se shekulli 21 është shekulli ku njerëzit po garojnë në mes vete me mençuri e jo me muskuj.

“Alibaba është kompani e shërbimit, që t’ju shërbesh njerëzve më mirë duhet të kesh një zemër të shërbimit, ne kemi parë që gratë bëjnë punë shumë më të mirë se burrat në këtë aspekt. Dhe e dyta është që në shekullin e kaluar njerëzit kanë garuar në mes vete me muskuj, por në këtë shekull njerëzit garojnë me mençuri”, ka thënë themeluesi i kompanisë Alibaba.

Më tej Jack Ma ka potencuar se nëse dikush do të jetë i suksesshëm duhet të ketë koeficient të lartë emocional, nëse nuk do të humbasë shpejtë duhet të ketë inteligjencë të lartë por nëse do të jetë i respektueshëm duhet të ketë koeficient të lartë të dashurisë.

“Kështu kur këta tre koeficiente bashkë te shumë meshkuj, koeficienti i inteligjencës është shumë i lartë, koeficienti emocional është i ulët dhe koeficienti i dashurisë edhe më i ulët por te gratë këto janë të balancuara. Nëse do të kesh një kompani të suksesshme, nëse do që kompania jote të operoj me mençuri dhe kujdes, gratë janë më të mira”, është shprehur Jack Ma.

Po ashtu miliarderi kinez ka shpjeguar që edhe në faqen e kompanisë Alibaba shumica e vizitoreve janë gra që duan të blejnë për familjarët e tyre që është shembull i kujdesit të tyre ndaj të tjerëve.

“Në kompaninë tonë gratë kujdesen për të tjerët më shumë sesa meshkujt. Edhe në faqen tonë gratë blejnë për vete, për burrat e tyre, për fëmijët dhe për prindërit kurse burrat blejnë vetëm për vete në shumicën e rasteve sepse kujdesi ndaj të tjerëve e bën dallimin”, tha Jack Ma.

Pasuria aktuale e themeluesit të kompanisë Alibaba është 41 miliard dollarë dhe është i radhitur si personi i 23 më i pasur në botë.

Në listën e Forbes, Jack Ma është i treti më i pasur në Kinë dhe është radhitur i 7-ti ndër personat më të pasur në fushën e teknologjisë.

Fjalimin e plotë të Jack Ma mund ta ndiqni këtu.