Gjykimi i doganierit | Foto: KALLXO.com
Gjykimi i Doganierit për Ryshfetin prej 2 Mijë Eurosh
Doganieri Shemsedin Sadiku akuzohet se i mori dy mijë euro Fadil Zhabollajt për të ndikuar te dy kolegë të tij që të mos i shqiptojnë gjobë Zhabollajt.
Zhabollajt i ishin gjetur tri makina të padoganuara në parking nga zyrtarë doganorë.
Prokurorja Sahide Gashi tha në gjykatë se procesi gjyqësor ka vërtetuar aktakuzën e saj ndaj Zhabollajt.
“Këtu jemi sepse ekziston dyshimi i bazuar se i akuzuari Shemsedin Sadiku e ka kryer veprën penale ushtrim ndikimi dhe se nga të gjitha provat është vërtetuar se i njëjti e ka kryer këtë vepër penale”, tha prokurorja.
Ajo këto që tha i bazoi në ato që i quajti deklarata kontradiktore të të akuzuarit dhe dëshmitarëve.
“Deklaratat e të akuzuarit janë në kundërshtim me njëra- tjetrën, e po ashtu edhe dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes gjatë gjithë kohës kanë qenë në kundërshtim me vetveten”, shpjegoi prokurorja.
Ajo tregoi se te rasti i Zhabollajt zyrtari doganar Shemsedin Sadiku kishte vërejtur shansin për të përfituar.
“I akuzuari kur ka kuptuar se të dëmtuarit i janë gjetur disa vetura pa doganë, e ka parë shansin e vet duke e ditur se gjobat janë të mëdha dhe duke e ditur se mund të ndikojë në kolegët e tij, andaj prokuroria fton gjykatën që të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit”, tha prokurorja Sahide Gashi.
Por Gëzim Kollçaku, avokati i Shemsedin Sadikut tha se bëhet fjalë për borxh e jo për marrje ryshfeti.
“Ato para të cilat prokuroria po pretendon se i akuzuari i ka marrë për të ndikuar në kolegët e tij, kanë qenë borxh të cilin i dëmtuari ia ka marrë më herët [Shemsedin Sadikut]sepse me të akuzuarin ishin shokë dhe se i dëmtuari ka bërë kallëzim penal në polici më qëllim që të mos ia paguajë borxhin të mbrojturit tim”, tha avokati Kollçaku.
Avokati më tutje deklaroi se gjykimi ka vërtetuar pafajësinë e zyrtarit doganor.
“Andaj të gjitha provat materiale të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj çështje penale vërtetojnë edhe një here pafajësinë e të mbrojturit tim dhe ashtu siç kam kërkuar më pare, edhe tani kërkoj që i mbrojturi im të lirohet nga kjo akuzë”, tha Kollçaku.
Në rastin e doganierit të akuzuar për ushtrim të ndikimit, Shemsedin Sadiku, në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Pejës kishte shpallur aktgjykim lirues. Mirëpo Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim.
Shemsedin Sadiku akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale marrje ryshfeti, në mënyrë që të ushtrojë ndikim te kolegët e tij Ganimete Salihi dhe Fisnik Koshi.
Sipas aktakuzës, Sadiku kishte kërkuar dy mijë euro ryshfet nga Fadil Zhabollaj në mënyrë që të ndikojë te kolegët për të mos i shqiptuar gjobë për tri automjete të hasura në autoparking, të cilat në këtë rast ishin të padoganuara.
KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për rastin e zyrtarit doganor.