Gjykatësi e Aranzhoi Drekën e Prokurorit me të Akuzuarin

Gjykatësi nga Shtërpca Adem Shabani është apostrofuar si personi i cili u kujdes për takimin në mes të akuzuarit Raif Ramaj dhe prokurorit i cili po e hetonte atë, Visar Musaj.

Në një hulumtim, emisioni Drejtësia në Kosovë ka siguruar prova për një takim të mistershëm në njërin nga lokalet e Ferizajt ku prezent ishin i akuzuari Ramaj, gjykatësi Shabani dhe prokurori i rastit Visar Musa. Ky i fundit përfaqësonte në gjykatë një aktakuzë ndaj Ramajt për kanosje e poashtu është prokuror në dy raste ku vëllezërit Ramaj janë të akuzuar.

Kodi i Etikës ndalon takime të tilla të prokurorëve me të akuzuar ndërsa takimi është parë me mjaft dyshim nga të dëmtuarit Hamdi e Afrim Matoshi të cilët në deklaratat për Drejtësia në Kosovë kanë deklaruar se kanë dyshime të mëdha rreth asaj çfarë u diskutua në drekën e fotografuar.

Në bisedë për Drejtësia në Kosovë, gjykatësi Adem Shabani pranoi se e dinte se i afërmi i tij ishte i akuzuar por ka mohuar se e dinte se lënda ishte duke u hetuar nga prokurori Visar Musa.

E tërë ngjarja, sipas gjykatësit Shabani, ishte kuptuar gjatë përfundimit të drekës.

Në një rrëfim ekskluziv, dëshmia e Matoshit ka ngjallur dyshime rreth mundësisë që prokurori ka shkelur rregullat etike kur u fotografua duke drekuar me një të akuzuar. Matoshi ka prezantuar edhe një fotografi e cila dëshmon këtë takim.

“Ka dreku me të akuzuarin, e kam edhe foton të cilën e kam dëshmi”, ka rrëfyer Matoshi. I njëjti ka treguar se dreka e prokurorit me të akuzuarin ishte organizuar vetëm 24 orë pasi ai ishte pjesë e procesit gjyqësor ku i akuzuar ishte Raif Rama.

Në edicionin e së premtes, Drejtësia në Kosovë raportoi për takimet të cilat prokurori Visar Musa i kishte me të akuzuarin Raif Rama vetëm një ditë pasi të njëjtin e akuzoi për kanosje.

Takimi misterioz ishte mbajtur në njërin nga restorantet e Ferizajt ndërsa pjesë e takimit ishte edhe gjykatësi Adem Shabani. Në deklaratën e tij, prokurori Visar Musa kishte pranuar takimin por ka pretenduar se nuk e dinte se po takohej me të akuzuarin. Vet prokurori e ka cilësuar si jo etike sjelljen e tij gjatë takimit me të akuzuarin.

Takimi është konfirmuar edhe nga gjykatësi Shabani por është arsyetuar se të akuzuarin e ka të afërm dhe “qëllimi i takimit nuk ishte të ndikohej në prokurorin” i cili po e hetonte të akuzuarin.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: