Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Gjykata e Apelit Konteston të Gjeturat e Zyrës së Auditorit

Instanca e shkallës së dytë e drejtësisë në Kosovë ka reaguar pas disa gjetjeve të publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës lidhur me lëndët civile në këtë gjykatë.

Përmes një njoftimi për media, Gjykata e Apelit thotë se të dhënat e paraqitura nga Zyra e Auditorit nuk përputhen me të dhënat e Gjykatës së Apelit.

“Kjo gjykatë dëshiron ta njoftoj opinionin publik se nuk qëndrojnë konstatimet e Auditorit sipas të cilave numri i lëndëve civile të kthyera në rigjykim është 62 %. Në bazë të raporteve tona statistikore, rezulton se numri i lëndëve civile të cilat kthehen në rigjykim është dukshëm më i vogël, konkretisht 29 %”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Gjykata e Apelit më tej bën të ditur se në 60 % të rasteve aktgjykimet e gjykatave të shkallës se parë vërtetohen, ndërsa pjesa tjetër ndryshohet.

Zyra Kombëtare e Auditorit muajin e kaluar ka publikuar raportin e Auditimit mbi efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore.