Të Pakënaqurit e Dialogut Kosovë – Serbi

Subjektet politike në Kosovë janë ndarë të pakënaqura nga ideja e fundit e Presidnetit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e një ‘ekipi të unitetit’ i cili do ta drejtonte dialogun me Serbinë në fazën përfundimtare të tij.

I nisur mes polemikash në mars të vitit 2011 si dialog për çështje të natyrës teknike dhe i përcjellë me protesta të shumta gjatë këtyre viteve, dialogu me Serbinë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, është raportuar se ka kaluar në një fazë të re për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

NDËRLIDHUR

Për të vazhduar dialogu mes dy vendeve, sipas partive politike, së pari është dashur të marrë vendim Kuvendi. Ndërkaq, çështja e  të pagjeturve do të duhej të ishte kushti kryesor për vazhdimin e këtyre bisedimeve.

Këto reagime janë marrë nga KALLXO.com, pas takimit të sotëm mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq.

Melihate Tërmkolli e LDK-së, deputete e legjislaturës së pestë të LDK-së, tha për KALLXO.com se dialogu ka qenë dashur të koncentrohet krejtësisht ndryshe nga ajo që është zhvilluar deri tani.

Ajo fillimisht tha se Serbia do të duhej të kërkonte falje për luftën e fundit dhe për gjithë shekullin, e pastaj sipas saj, Kosova të krijojë grupin e unitetit të cilin nuk ka tentuar ta bëjë as një qeverisje përveç presidentit Rugova.

“Ne duhet të dialogojmë, por duhet të kemi krejt qasje ndryshe. Ekipi i Unitetit, në konsensus  të marrëveshjeve është dashur të bëhet shumë më herët, dëmet janë bërë bukur të mëdha deri më tani. Nuk ka  bërë përpjekje kërkush deri tani për të kriju ekip të unitetit përveç presidentit Rugova”, tha Tërmkolli.

Sipas Tërmkollit, pavarësia e Kosovës nuk duhet të negociohet.

“Veç me mendu si pjesë të negocimit është e tmerrshme. Nëse negociojmë duhet të negociojmë për ndërtimin e marrëdhënieve mes dy shteteve”, u shpreh ajo.

Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes vetëvendosje, përmes një postimi në Facebook, dje ka bërë me dije se dialogu kërkon konsensus dhe duhet ridefinuar.

“Dialogu duhet ridefinuar nga e para. Ai duhet të ndryshojë në premisa, dhe jo thjesht në përbërje. Ajo që ka ndodhur deri tash duhet të hetohet nga Kuvendi dhe të zbardhen të gjitha prapaskenat e këtij dialogu që na ka sjellur deri këtu”, shkruan Ymeri.

Ai më tutje tha se Thaçi nuk ka kredibilitet dhe përgatitje politike e intelektuale në lidhje me konsensusin shoqëror për dialogun.

“Ai është përgjegjësi kryesor prapa Zajednicës, dhe nënshtrimit të gjithëmbarshëm politik karshi interesave të Serbisë”, shkruan ai.

Lideri i Vetëvendosjes pranoi se bashkimi është gjë e mirë por jo sipas kërkesave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ymeri: Thaçi Nuk Ka Kredibilitet për Konsensusin Shoqëror

Teuta Haxhiu, nga AAK-ja dhe ish anëtare e komisionit për persona të pagjetur dhe peticione e periudhës së 5-të legjislative, tha për KALLXO.com, se gjitha marrëveshjet që janë arritur deri më tani do të duhej që ato të zbatoheshin e jo të vazhdojë dialogu më tutje.

“Shteti serb nuk i ka marrë parasysh marrëveshjet e arritura”, shtoi Haxhiu duke theksuar se vetëm Serbia ka përfituar nga këto bisedime ndërsa Kosova nuk ka asnjë të arritur.

“Çështja e të pagjeturve  do të duhej të ishte kusht sepse një rezolutë është arrit në mandatin e kaluar dhe e cila ka kërkuar të kushtëzohet  vazhdimi i dialogut deri në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur”, tha Haxhiu.

E Zafir Berisha nga NISMA, tha për KALLXO, se Presidenti Hashim Thaçi është duke e thelluar gabimin që e ka filluar në vitin 2013 kur ka hyrë në bisedime pa një platformë të qartë kombëtare rreth dialogut me Serbinë.

“Takimi i fundit është në vazhdën e gabimeve trashanike që e bën në emër të Kosovës. Kosova është pronë e  qytetarëve të saj nuk është e Hashim Thaçit. Është vend parlamentar dhe për çdo gjë, e veçanërisht në  raport me Serbinë duhet qëndrimet dhe vendimet me i marr Kuvendi i Kosovës”, shtoi Berisha.

“Injorimi që i bëhet instancës më të lartë vendimmarrëse të vendit tregon jo njerëzillëkun e Hashim Thaçit në raport me shtetin që është fitu me shumë sakrificë”, tha Berisha.

Berisha e sheh përgjegjës Thaçin, dhe herët a vonë, sipas tij, ai “duhet me dhënë llogari për rikthimin e Serbisë në Kosovë përmes formave që kanë ndodhur”.

Por, nuk ka pasur vetëm kritika për dialogun Kosovë – Serbi.

Ish Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Luljeta Gutaj Veseli, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka vlerësuar për KALLXO.com, se takimi ka qenë i qëlluar.

Ajo ka shtuar se duhet që të gjitha subjektet politike në Kosovë të marrin pjesë dhe të jenë të unifikuar në qëndrimet e tyre rreth dialogut.

“Zoti Thaçi e ka përfaqësuar jashtëzakonisht mirë vendin. Po mundohemi ta finalizojmë me paqe dhe stabilitet vendin”, tha ajo.

Edhe ajo ka shtuar se çështja e të pagjeturve duhet të jetë diskutim i domosdoshëm.

Sot Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur takim në Bruksel me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq, ku tha se dy vendet kanë nevojë për një marrëveshje “të re e përfundimtare” e cila, sipas tij, do t’i rregullonte raportet mes dy vendeve për të ardhmen.

http://kallxo.com/thaci-pas-takimit-vuciqin-kosova-e-serbia-kane-nevoje-per-marreveshje-te-re/

31 Gusht 2017 - 16:33

Amire Qamili 31/08/2017 - 16:33
NDËRVEPRIMI5

Të Pakënaqurit e Dialogut Kosovë - Serbi

by Amire Qamili
NA NDIQNI

Send this to a friend