Prokuroritë Me Aktakuza Milionëshe Të Vonuara

Gjatë vitit 2015, BIRN dhe Internews Kosova ka hasur në raste kur hetimet nuk janë përfunduar brenda afateve kohore dhe prokurorët nuk kanë kërkuar afate shtesë për vazhdimin e hetimeve në rastet e ndërlikuara, siç parashihet në paragrafin 2 të nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Mirëpo, Prokuroria ka ngritur aktakuza vetëm pas tejkalimit të afatit dyvjeçar, e të tillat Gjykata e Apelit i ka konsideruar si të paafatshme dhe ka marrë vendim që procedurat penale automatikisht të ndërpriten. Zakonisht, këto raste që rrezikojnë të mbesin pa u gjykuar janë kundër zyrtarëve shtetërorë dhe kapin shumën e miliona eurove.

Raporti i Monitorimit të Gjykatave të BIRN dhe Internews Kosova, ka evidentuar disa raste me vlera të mëdha të hollash në të cilat kanë kaluar afatet ligjore për ngritjen e aktakuzës.

Në rastin e KEK-ut, aktakuza ndaj shtatë personave është ngritur vetëm pas kalimit të afatit ligjor.

Në rastin e njohur si KEK (me numër të lëndës PKr.18/15), aktakuza ndaj shtatë personave është ngritur vetëm pas kalimit të afatit (ligjor) dyvjeçar.

Sipas kësaj aktakuze, pretendohet se sjellja e paligjshme e të pandehurve ka rezultuar me dhënien e kontratës dyvjeçare kompanisë së sigurimit “Security Code” e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit, WDG, në procesin e tenderimit.

Të pandehurit akuzoheshin për veprat penale të shtytjes për keqpërdorim të pozitës apo autorizimit zyrtar, mashtrimit dhe falsifikimit në bashkëkryerje dhe lidhje të kontratës së dëmshme, me pretendimin se KEK-ut i është shkaktuar një dëm mbi 6 milionë euro.

Për këtë lëndë aktakuza nga Prokuroria Speciale është ngritur më 16 janar 2015, por kolegji i Apelit konsideron se aktakuza është ngritur 3 muaj e gjysmë pas skadimit të periudhës së hetimit.

Përfundimisht, kolegji nxori përfundimin se aktakuza e ngritur nga prokurori pas kalimit të afatit, është e paafatshme dhe si e tillë hidhet poshtë dhe procedura penale automatikisht ndërpritet për akuzat kriminale ndaj shtatë të pandehurve.

“Ky rast milionësh, i cili rrezikon që të mos gjykohet fare”

Mirëpo një kolegj i Gjykatës Supreme të Kosovës, mori aktvendim që vendimi i Apelit të ndryshohet dhe lënda të kthehet në Gjykatën Themelore të Prishtinës që të procedohet më tutje.

Nga ana tjetër, mbrojtja e të akuzuarve, ende pretendon se aktakuza e prokurorisë është ngritur si e paafatshme dhe e ka dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese.

“Ky rast milionësh, i cili rrezikon që të mos gjykohet fare, nuk do të kishte ardhur deri në këtë pikë sikur prokurori në fjalë të kishte qenë më efikas në kohën e kryerjes së hetimeve dhe ngritjes së aktakuzës, gjë që e bën të dyshimtë përkushtimin maksimal të organeve të shtetit për luftën kundër korrupsionit” thuhet në raportin e BIRN-it.

Rast i ngjashëm është edhe rasti i furnizimit me armë për Policinë e Kosovës. Në këtë rast aktakuza pretendon se dëmi i shkaktuar fondeve publike është së paku 3 milionë e 144 mijë euro, edhe në këtë rast prokuroria ka dështuar që të ngrejë aktakuzën me kohë, duke bërë që rasti të rrezikohet duke u cilësuar si aktakuzë e paafatshme.

Në një lëndë tjetër të ngjashme në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me numër PKR. nr.89/14, me aktakuzën e Prokurorisë me numër PP.nr.544-5/06 ishin të akuzuar pesë persona për kryerje të veprave penale në vitin 2004, ndërsa aktakuza nga Prokuroria u ngrit në vitin 2014, për një lëndë që kapë vlerën prej rreth 460 mijë euro, duke lënë pak kohë para se rasti të parashkruhet.

Organet e hetuesisë dhe drejtësisë kanë dështuar në luftën kundër korrupsionit në vend.

Raporti i BIRN dhe I/KS konsideron se me aktakuza “të vonuara” dhe raste të miliona eurove të mbetura pa u gjykuar, organet e hetuesisë dhe drejtësisë kanë dështuar në luftën kundër korrupsionit në vend.

Mostrajtimi me prioritet i rasteve të tilla, mungesa e seriozitetit, fshehja prapa procedurave, huqja e afateve kinse për shkak të “ngarkesës me punë”, pos që ndikon në efikasitetin e Prokurorisë së Shtetit në luftën kundër korrupsionit, ndikon edhe në mosbesimin e qytetarëve që për rastet e krimeve të rënda të rrezikohet bashkëpunimi me institucionet shtetërore.

BIRN vlerëson se është koha e fundit kur Prokuroria e Shtetit duhet të reflektojë në prioritizimin e të gjitha rasteve të krimeve të rënda e në veçanti ato të korrupsionit, në mënyrë që mos të vijë deri te mos-ndëshkimi i keqbërësve, të cilët me kryerjen e veprave të tilla dëmtojnë edhe buxhetin e shtetit.

“Për më tepër, mos ndëshkimi i këtyre personave ndikon edhe në moskthimin e pasurisë të fituar në mënyrë të paligjshme” thuhet në Raportin e publikuar nga BIRN dhe Internews Kosova.

Debatin e plotë në konferencën ku u publikua raporti i BIRN dhe I/KS i monitorimit të sistemit të drejtësisë mund të gjendet në linkun e mëposhtëm: