Kelmendi për raportin "Imuniteti i Korrupsionit": Kjo tregon që aktakuzat ose nuk kanë prova të fuqishme ose prokurorët nuk kanë aftësi

Organizatat BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë publikuar raportin “Imuniteti i Korrupsionit”, ku janë analizuar 40 raste të aktgjykimeve dënuese të korrupsionit gjatë vitit 2021.

Ky raport i monitorimit fokusohet në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2021.

Raporti tregon se si gjykatat e Kosovës në rastet e korrupsionit nuk kanë zbatuar politikë ndëshkimore në përputhshmëri me udhëzuesit e nxjerrë nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Raporti nxjerr në pah dënimet e ulëta te rastet e korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.

Pos tjerash është trajtuar edhe numri i madh të rrethanave lehtësuese që merren për bazë karshi atyre rënduese në rastet penale të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit.

Po ashtu raporti shpërfaq se në aktgjykimet e gjykatave për rastet e korrupsionit nuk kemi arsyetim të rrethanave rënduese dhe atyre lehtësuese.

Në konferencën e publikimit të raportit panelist ishte edhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Kelmendi tha se statistikat e raportit tregojnë se 94% të aktakuzave janë aprovuar nga gjykatat, por për aktakuzat për korrupsion është mbi 50%.

“Kjo tregon që aktakuzat ose nuk kanë prova të fuqishme ose prokurorët tanë nuk kanë aftësi të përfaqësimit në gjykatë”, tha Kelmendi.

U.d. Kryeprokurori i Shtetit tha se nëse prokurorët do të zbatonin në praktikë atë që e mësojnë në Akademinë e Drejtësisë për përfaqësimin e aktakuzave sot do të kishim numër më të madh të aktakuzave të aprovuara në gjykatë.

Kelmendi për vlerësimin e perfomancës së prokurorëve tha se prokurorët nuk kanë treguar perfomancë të mirë në përfaqësimin e aktakuzave dhe shihet se numri më i madh është vlerësuar “mjaftueshëm”.

Kryeprokurori Kelmendi tha se tanimë nuk ka vlerësim të perfomancës për ‘hir’ të miqësisë, kolegialitetit ose kritereve të tjera.