Publikimi i Raportit te Monitorimit te Gjykatave - 23.05.2019

Hyseni: Është koha që t`i trajtojmë seriozisht problemet në sistemin e drejtësisë

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni ka deklaruar sot se ka ardhur koha që seriozisht t`i trajtojnë gjërat që e preokupojnë sistemin e drejtësisë.

Hyseni këto komente i bëri gjatë publikimit të Raportit Vjetor të Monitorimit të Gjykatave nga BIRN dhe Internevws Kosova.

“Raporti është mbi bazën e asaj që po pasqyrohet edhe në realitet bazuar edhe në çështje konkrete. T`i shikojmë ato veprime tonat të cilat po ndikojnë drejtpërsëdrejti në rezultat. Me të drejtë pasqyruesit e raportit e kanë konstatuar faktin që po na mungojnë rezultatet. Çështja e konfiskimit që është cek edhe në raport është çështje që duhet me na brengos”, tha ai.

Hyseni tutje shtoi se edhe në takime publike edhe në takime të Këshillit e kanë përmend dhe duhet me ndryshu diçka.

“Në vitin 2019 presim rezultate konkrete apo edhe përgjithësi për krejt ne që jemi më barrë të institucioneve. Për mënyrën se si e kemi konfiskimin nuk na garanton rezultatet prandaj duhet të ndryshoj diçka. Sekuestrime kemi por nuk po kemi vendime përfundimtare. Shpresojë që së shpejti do të dalim me rekomandimet që i kemi nxjerrë më takimin e fundit që e kemi pas”, tha Hyseni.

Ai deklaroi se janë në përfundim të rregullores për disiplinim të prokurorëve e cila sipas tij “Garanton se çështjen do ta kemi më ndryshe dhe të fillojmë të marrim veprime konkrete kundrejt atyre që nuk respektojnë ligjin”.

Ndryshe, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova publikuan Raportin Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018.

Ky raport fokus të veçantë ka rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave dhe rastet korrupsionit të monitoruara gjatë vitit 2018, por gjithashtu trajton problemet e tjera të trashëguara, të vëzhguara gjatë punës së monitoruesve në teren.

Për më shumë, raporti thekson mungesën e efikasitetit në trajtimin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave, neglizhencën në trajtimin e rasteve të korrupsionit, dështimin për ta goditur krimin përmes konfiskimit të pasurisë si dhe shkeljet procedurale nga gjykatësit, prokurorët dhe palë tjera në procedurë gjyqësore të hasura nga monitoruesit tanë gjatë monitorimit të gjykatave në nivel të Republikës së Kosovës.