Shkolla Fillore "Dardania", Prishtinë, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Sa u zbatuan masat për COVID-19 në shkolla në muajin dhjetor?

Gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/21 përfundoi me shumë sfida për mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit.

Megjithatë, edhe pse gjysmëvjetori i parë ka përfunduar, situata me pandeminë COVID-19 është në situatë të njëjtë dhe Kosova ende nuk ka siguruar vaksinat kundër këtij virusi.

Ndërsa, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka planifikuar që të organizojë zhvillimin e mësimit në gjysmëvjetorin e dytë ndryshe nga ai i gjysmëvjetorit të parë.

Kurse, që nga fillimi i vitit shkollor deri më 18 dhjetor, sipas të dhënave të MASh, janë infektuar nga coronavirusi 2,301 mësimdhënës dhe 1,649 nxënës.

Ky vit shkollor kishte filluar më 14 shtator në dy faza dhe për zhvillimin e mësimit në kohë pandemie Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte përgatitur tre skenarë të ndryshëm. Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

Para se të fillonte mësimi, Ministria ishte konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilët edhe kishin përpiluar një udhëzim se si duhet të mbahet mësimi në kohë pandemie si dhe rregullat se si shkollat duhet të funksionojnë.

Në këtë udhëzim thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë, shkolla duhet të dezinfektohet pas çdo ndërrimi dhe i gjithë personeli duhet të mbajë maskat gjatë gjithë kohës etj.

Për të parë se cilat masat janë zbatuar më së shumti e cilat jo në shkollat e Kosovës, Organizata “Edu Task” në bashkëpunim me BIRN Kosova për 4 muaj ka monitoruar mbi 300 shkolla.

Kurse, të dhënat e monitorimit të 102 shkollave gjatë periudhës 1 deri më 16 dhjetor tregojnë rezultatet e zbatimit të masave anti COVID-19 në shkollat e Kosovës.

Sa u zbatuan masat e Qeverisë në nivel vendi?

Raporti i monitorimit të zbatimit të masave anti COVID-19 nga 98 shkolla në Kosovë gjatë periudhës 1 deri më 16 dhjetor tregon se masa më zabtuar në shkollat e vendit është krijimi i taskforcës në shkollë më 90.60%, e përcjellur nga’Masat parandaluese: testimi, raportimi i rasteve me COVID-19 dhendërprerja e mësimit’ më 90.03%, dhe ‘Masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës për fillimin e vitit shkollor’ zbatuar më 82.38%.

Ndërsa, ngjashëm me raportet e muajve të kaluar, masa e zbatuar më së paku mbetet ‘Organizimi i procesit mësimor sipas tre skenarëve të paraqitur në udhëzuesin e MASh’ zbatuar vetëm 68.66%.

Tutje nga një analizë e brendshme e këtyre masave e paraqitur në figurën 2 tregon se nënmasat e zbatuara më shumë se 95% janë: ‘Është themeluar Task Forca në nivel të shkollës’ dhe ‘Shkolla ka hartuar orarin e mësimit në shkollë zbatuar 99.51%, ‘Mësimdhënësit janë plotësisht të informuar dhe pjesëmarrës aktiv’ zbatuar 97.05%, ‘Shkolla ka afishuar posterë lidhur me masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj COVID- 19’ zbatuar 99.02%.

Edhe nënmasat ‘Shkolla zbaton vendimet e TASK forcës, të DKA dhe MASH dhe IKSHPK’ zbatuar është me dhe disa nën masa të tjera janë mbi 90%.

“ ‘Shkolla është zotuar se personeli, nxënësit dhe vizitorët do të mbajnë maskat sipas rregullave’ dhe ‘Shkolla mirëmban nyjet sanitare rregullisht dhe të pastra’ zbatuar 96.56%, ‘DKA/Shkolla ka siguruar ujë të rrjedhshëm gjatë orarit të punës 8-17’ zbatuar 96.07%, ‘Është bërë dezinfektimi dhe pastrimi gjeneral i shkollës’ zbatuar’ dhe ‘Shkolla ka siguruar pajisjen/t për matjen e përditshme të temperaturës’ zbatuar 95.58%, ‘DKA/Shkolla kanë siguruar preparatet për dezinfektim’ dhe ‘Është siguruar pjesëmarrja aktive e mësimdhënësve’ zbatuar 95.09%”, është bërë e ditur në raportin e “Edu Task”.

Në anën tjetër, ky raport poashtu nxjerr edhe nënmasat e zbatuara më pak se 50% e që përfshijnë: Trajnimet e nxënësve për përdorimin e platformave me 23.04%, pajisjet teknologjike për mësimdhënës me 33.33% dhe mungesa si dhe ‘DKA dhe shkolla kanë siguruar shërbime konsulence psikologjike’ zbatuar 36.76%.

“Janë siguruar pajisjet teknologjike për nxënës’ zbatuar 42.16%, ‘Është mbajtur trajnimi për mësimdhënësit për përdorimin e platformës’ zbatuar 43.14%, dhe ‘DKA dhe shkolla kanë siguruar transport të sigurt për grupe të caktuara të nxënësve’ zbatuar 45.59%”, janë masat e tjera më pak të zbatuara në nivel vendi sipas po këtij raporti.

Cilat komuna zbatuan më së miri masat?

Edhe pse Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte përgatitur udhëzime e rekomandime për mbajtjen e mësimit në kohë pandemie, komunat ishin ato që do të përkujdeseshin se sa po zbatohen ato.

Përfshirë hapja e shkollave, mirëmbajtja dhe furnizimi i tyre me mjete mbrotjëse, zëvendësimi i stafit të shkollës, sigurimi i psikologëve dhe të tjera.

Në bazë të raportit të muajit dhjetor të “Edu Task” shihet se komunat me përformancën më të mirë për zbatimin e masave anti-COVID në shkolla është: Rahoveci, Malisheva, Shtimja, Skenderaj, Ferizaj, Prizrenit, Gllogovc dhe Gjakovë që kanë zbatuar mbi 90% të masave.

Në anën tjetër, komunat me performancën më të dobët të zbatimit të masave anti COVID-19 gjatë kësaj periudhe përfshijnë komunën e Vitisë dhe atë të Dragashit që masat janë zbatuar vetëm 38% dhe 60% respektivisht.

Në figurën 5 po ashtu ofrohet një pasqyrë më e detajuar, ajo e përmbushjes së secilës masë sipas komunës.

Siç vërehet, komunat si Ferizaji, Gjilani, Kaçaniku, Lipjani, Obiliqi, Podujeva, Prishtina, Prizreni dhe Shtimja nga katër masat anti COVID-19 më së miri kanë performuar në zbatimin e masës ‘Taskforca në nivel institucioni parashkollor apo shkolle’.

Edhe komunat tjera po ashtu kanë performuar mirë në zbatimin e kësaj mase përveç komunës së Dragashit, Kaçanikut, dhe Shtërpcës. Sa i përket zbatimit të masave parandaluese: testimi, raportimi i rasteve me COVID-19 dhe ndërprerja e mësimit, shumica e komunave duke përfshirë: Deçanin, Fushë Kosovën, Gjakovën, Gllogovcin, Istogun, Kamenicën, Klinën, Malishevën, Mitrovicën, Novobërdën, Pejën, Rahovecin, Skënderajin, Suharekën, Vitinë, dhe Vushtrrinë kanë zbatuar këtë masë më shumë sesa masat tjera.

“Komuna e Dragashit, ajo e Hanit të Elezit, dhe Shtërpcës nga katër masat e vendosura më së shumti kanë zbatuar ‘Masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës për fillimin e vitit shkollor’”, është bërë e ditur më tej në raportin e monitorimit të 102 shkollave.

Edhe komunat tjera kanë performuar mjaft mirë në zbatimin e kësaj mase përveç komunës së Vitisë.

Në anën tjetër, përsëri masa e zbatuar më së paku nga të katër masat e vendosura mbetet ajo e ‘Organizimi i procesit mësimor sipas tre skenarëve të paraqitur në udhëzuesin e MASh’ e zbatuar më së shumti nga komuna e Rahovecit dhe Shtimes, dhe më së paku nga komuna e Vitisë, Dragashit, dhe ajo e Istogut.

Skenaret e përdoruara nga ana e komunave

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kishte përgatitur tre skenarë për mësim, që komunat pastaj kanë vendosur se në cilin skenar dëshirojnë të funksionojnë, në bazë të kapaciteteve të tyre.

Tre skenarët kanë qenë: Skenari A që është për mësim fizik në shkolla, skenari B mësim i kombinuar dhe skenari C mësim online nga platforma të ndryshme.

Në bazë të raportit të “Edu Task” në këtë fazë të projektit vërehet se të gjitha shkollat e monitoruara gjatë periudhës 1 deri më 16 dhjetor kanë qenë duke vepruar në skenarin A, apo duke mbajtur mësim me prezencë në shkollë.

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Në bazë të kalendarit shkollor, mësimi në Kosovë ishte dashur të përfundojë më 24 dhjetor dhe të nisë më 8 janar.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse do të fillojë mësimi në këtë datë, pasi që SBAShK ka paraqitur kërkesë për pagë shtesë për mësimdhënësit ose në të kundërtën do të fillojnë më greva