ILUSTRIM - BIRN

BIRN publikon raportin e monitorimit të rekrutimit: CV apo Librezë?

Gjatë vitit 2019, Qeveria e Kosovës ka emëruar persona politikë në bordet e ndërmarrjeve publike, siç është Posta e Kosovës, KRU “Prishtina” dhe Ibër-Lepenci, thuhet në raportin e monitorimit të rekrutimit “CV apo Librezë?” të publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Në këtë raport thuhet se politizimi ka vazhduar me emërimin e personave politikë nëpër pozitat të larta në ndërmarrjet publike, siç është zëvendës drejtori i KEK-ut dhe sekretari i Telekomit të Kosovës.

Ligji për Ndërmarrjet Publike thotë se zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike duhet të jenë të pavarur dhe se nuk mund të zgjidhen në ato pozita nëse në 36 muajt e fundit para aplikimit kanë qenë të emëruar politikë, zyrtarë të zgjedhur publikë apo kanë mbajtur pozita të rëndësishme në parti politike. BIRN ka rekomanduar që të gjithë anëtarët e bordeve dhe zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike që në 36 muajt e fundit kanë pasur pozita politike nëpër institucione apo parti politike të shkarkohen nga detyra.

BIRN ka monitoruar shumë konkurse e procese të rekrutimit që janë zhvilluar me asistencën e kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike për të ofruar asistencë në rekrutim institucioneve të Kosovës, BDO, apo pa të, e të cilat janë të shpjeguara në mënyrë të detajuara në raportin e monitorimit. BIRN gjatë këtyre monitorimeve ka zbardhur shumë shkelje që bëhen nëpër konkurse e të cilat kanë ndikuar në punësimin e njerëzve jo-meritorë.

Pjesë e raportit, që përfshin periudhën e monitorimit nga muajin prill deri dhjetor 2019, është edhe konkursi ‘maratonë’ për zgjedhjen e kryesuesit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Në dy konkurset e para, Kuvendi nuk i kishte emëruar kandidatët e propozuar nga BDO-ja. Në konkursin e tretë Ambasada Britanike ishte tërhequr, ndërsa procesi i rekrutimit ishte përcjellë me shkelje. BIRN kërkon nga institucionet e Kosovës që t’i zbatojë rekomandimet që i marrin nga ekspertët britanikë të BDO-së.

Në pjesën e dytë të Raportit të Rekrutimit është bërë një analizë e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe dy projekt-udhëzimeve për zbatim të këtij ligji. Ligji ka paraparë reformë të thellë në mënyrën e punësimit dhe avancimit në shërbimin civil. Analiza konkludon se Ministria e Administratës Publike do ta ketë monopolin e punësimit në shërbimin civil profesional. Ndryshime përmbajtësore janë bërë edhe në mënyrën e testimit të kandidatëve, por është zvogëluar dukshëm pesha e intervistës në punësim.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

Ky është raporti i dytë i monitorimit në rekrutim i publikuar nga BIRN me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë. BIRN do të vazhdojë të monitorojë konkurse nëpër institucionet qendrore, agjenci të pavarura e komuna.