Mustafa: Ndryshimi i Qëndrimit Erdhi Prej Rrethanave të Reja

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha se ndryshimin e qëndrimit të tij ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, gjegjësisht marrëveshjes së 10 qershorit mes LDK-AAK-Nismës, i ka bazuar në rrethanat që janë krijuar.

NDËRLIDHUR

Mustafa në rrjetin social Facebook thotë se janë dy rrethana të reja që kanë ndikuar që të vështirësohet arritja e objektivave të bllokut VLAN.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që i jep të drejtë vetëm PDK-së për të propozuar kryetarin e Kuvendit dhe kriteret e prezantuara nga Presidentja e Republikës së Kosovës, sigurisht të harmonizuara me partnerët ndërkombëtarë, për kushtet e mandatimit të qeverisë së ardhshme, e që janë shumica, partneriteti ndërkombëtar, dialogu dhe implementimi i marrëveshjeve nga dialogu, përfshirja e komuniteteve në qeverisje dhe listës serbe si dhe gjithë-përfshirja”, shkruan kreu i LDK-së.

Por ndryshimi i qëndrimeve të tij nuk po i shkon për shtati parterit të koalicionit paszgjedhor, AAK-së, e cila dje në mbledhjen e kryesisë së saj, i dha mbështetje kreut të saj, Ramush Haradinaj, që ai të jetë në postin e Kryeministrit, siç e thotë edhe marrëveshja e 10 qershorit LDK-AAK-Nisma.

“Kryesia e AAK-së, në mbledhjen e mbajtur rithekson bindjen e saj që ndryshimet rrënjësore në politikën dhe në shoqërinë kosovare, kërkojnë një lidership të ri në Qeverinë e Kosovës, me Ramush Haradinajn si kryeministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha dje Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.

Isa Mustafa më tej në Facebook shkruan se LDK-ja brenda dy ditësh do të vendosë për formimin e institucioneve.

“Këto dy ditë LDK-ja do të mbajë takimet e nivelit më të lartë partiak dhe do të vendosë të ndihmojë që vendi ynë sa më shpejt të ketë institucionet e tij demokratike në harmoni të interesave të qytetarëve”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.

Përderisa Mustafa thotë se do të vendosin në ditët në vijim, AAK-ja dje e ka paralajmëruar se nuk e përjashton as mundësinë për qeverisje me PDK-në.

“Ne nuk duam që të paragjykojmë, sepse mendojmë që ky koalicion duhet ta ndryshojë gjendjen në Kosovë, prandaj duam ende të besojmë që koalicioni duhet ta krijojë qeverinë e re”, tha Ahmet Isufi nga AAK-ja.

Për më tepër, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka treguar se në seancën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, koalicioni, me përjashtim të LVV-së, është zotuar se do ta votojë kandidatin e propozuar nga PDK-ja.

“LDK-ja mbetet konsekuente ndaj partnerëve, por po ashtu momentet e reja imponojnë nevojën për sjellje të re, në mënyrë që Kosova të ketë Kuvendin dhe Qeverinë në ditët e ardhshme”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

ETIKETA

18 Nëntor 2014 - 15:36

Qëndresë Mustafa 18/11/2014 - 15:36
NDËRVEPRIMI0

Mustafa: Ndryshimi i Qëndrimit Erdhi Prej Rrethanave të Reja

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend