Migrimi si Drogë e Re

Kalimi ilegal i kufijve për mbi 111 mijë kosovarë, në tre vjetët e fundit, u ka sjellë fitim kontrabanduesve deri 334 milionë euro. Edhe sa duhet të paguajnë qytetarët për papërgjegjshmërinë e politikanëve?

Për secilën kërkesë ekziston një ofertë. Kërkesa e shumë kosovarëve është lëvizja e lirë në vendet e Europës. Përderisa Bashkimi Europian nuk është i gatshëm të plotësojë këtë kërkesë, kontrabandistët me migrantë janë aty për të mbushur këtë boshllëk.

NDËRLIDHUR

Ashtu sikurse fajdexhinjtë që janë të gatshëm të mbushin boshllëkun kur bankat refuzojnë të japin kredi për personat e varfër, po ashtu edhe kontrabanduesit janë të gatshëm të përfitojnë nga njerëzit në nevojë, kur ata refuzohen për viza. E në kontrabandë me viza janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë publikë.

Ish-deputeti Ukë Rugova, në një grup prej njëzetë vetash, akuzohen për manipulim me viza. Sipas dosjes së EULEX, grupi i deputetit Ukë Rugova, përmes ambasadës Italiane në Prishtinë, kishte siguruar viza për qindra persona në këmbim të një shume të konsiderueshme parash. Këtë vit, një deputet tjetër i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, u arrestua për shkak të dyshimit për mashtrim me viza pune.

Përveç këtyre dy deputetëve, është një grup i madh i njerëzve të përfshirë në kontrabandimin me emigrantë. Sipas një studimi për ekonominë joformale në Kosovë, i financuar nga Komisioni Europian për nevojat e Ministrisë së Financave dhe i publikuar muajin e kaluar, thuhet se ka një rënie të vogël të ekonomisë gri, por një rritje enorme të ekonomisë së zezë. Sipas këtij raporti, vlerësohet se kontrabandimi me migrantë në vitin 2015 u solli 44.6 milionë euro fitime kontrabanduesve. Kjo është një rritje enorme në krahasim me vitin 2013 kur vlerësohej se nga kontrabanda me migrantë, kontrabanduesit fitonin gjysmë milioni euro në vit. Për më tepër, vlerësohet se shifra prej 44.6 milionë eurove është vetëm një e treta e përfitimeve të kontrabanduesve e cila mbetet në vend, pjesën tjetër e përfitojnë kontrabanduesit jashtë Kosovës.

Kontrabandimi me migrantë përbën pjesën kryesore të ekonomisë së zezë në Kosovë. Madje ky lloj kontrabandimi është më i madh sesa kontrabandimi me mallra, trafikimi me qenie njerëzore, korrupsioni dhe drogat. Për krahasim, tregtia ilegale me droga kap vlerën prej 25 milionë eurosh në vit, një rënie prej 50% krahasuar me vitin 2014. Vendin e drogave tash e ka zënë kontrabandimi me migrantë.

Nga 2014 deri në gjashtëmujorin e parë të 2017, sipas të dhënave të Eurostat, 111,430 kosovarë kanë kaluar ilegalisht në vendet e BE (6% e popullsisë). Nëse marrin për bazë deklarimin e Policisë së Kosovës se për një person u paguhet trafikantëve 2,000 deri në 3,000 euro, del se kalimi ilegal i kufirit këtyre personave së bashku i ka kushtuar prej 222 milionë euro deri 334 milionë euro.

Vetëm gjatë vitit 2015 janë riatdhesuar rreth 15 mijë persona, e numër përafërsisht i njëjtë i të riatdhesuarve ka qenë edhe në vitet 2016 dhe 2017. Të gjithë të kthyerit janë më të varfër sesa para marrjes së rrugës së emigrimit ilegal. Disa prej tyre kanë shitur edhe shtëpitë e të gjithë pasurinë për të financuar këtë udhëtim. Zakonisht ata që marrin rrugën e emigrimit janë qytetarët me të ardhura mesatare, ngase të varfrit nuk mund të sigurojnë as shpenzimet e udhëtimit.

Po bëhen gati tre vjet prej kur institucionet e shtetit nuk kanë bërë asnjë hap në drejtim të zgjidhjes së çështjes së demarkacionit, një ndër dy kushtet kryesore për liberalizimin e vizave. Kushti tjetër, ai për luftimin e korrupsionit, po “plotësohet” duke dënuar rastet e larta të korrupsionit me dënime me kusht, e ku në realitet nuk dënohet askush. E në anën tjetër, BE ka vendosur të tregohet rigoroze me Kosovën sa i përket plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave, qëndrim që nuk duket se e ka mbajtur ndaj vendeve tjera, prej Gjeorgjisë e deri në Kolumbi, qytetarët e të cilave vende tani mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Liberalizimi i vizave nuk nënkupton edhe të drejtën e punës dhe banimit në vendet e Evropës. Por liberalizimi i vizave do të largonte kosovarët nga duart e kontrabanduesve. Ato 222 deri 334 milionë euro do të shfrytëzoheshin për udhëtim në rrugë legale ku qytetarët do të mund të provonin mundësi të lidhjes së marrëveshjeve për punësim legal ose trajnime. Në të kundërtën, fituesit më të mëdhenj nga mosliberalizimi i vizave do të jenë kontrabanduesit, në mesin e tyre edhe deputetë e ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës.

02 Dhjetor 2017 - 12:30

Agron Demi 02/12/2017 - 12:30
NDËRVEPRIMI40