
Të burgosurit shqiptarë paguhen nga qeveria britanike për t'u kthyer në shtëpi
Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se shumica e shtetasve të saj të kthyer me forcë në shtëpi nga Britania e Madhe këtë vit u dënuan për krime atje.
Fluturimet e dëbimit drejt Shqipërisë janë shtuar që kur Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të përbashkët bashkëpunimi me Britaninë e Madhe dhjetorin e kaluar, për ta “frenuar dhe penguar migrimin e paligjshëm”.
Zyra e Brendshme e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thotë se më shumë se 1000 njerëz janë kthyer që atëherë: rreth gjysma e tyre vullnetarisht, pjesa tjetër një kombinim i azilkërkuesve të dështuar dhe shkelësve të huaj.
Sipas BBC e cila ka rënë në kontakt me dhjetëra njerëz/shqiptarë në disa prej këtyre fluturimeve të dëbimit muajin e kaluar, zbuloi se shumica vinin nga burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Disave u ishin ofruar para në këmbim të pranimit të dëbimit dhe u liruan nga burgu përpara se ta vuanin dënimin e tyre minimal, sipas një skeme ekzistuese të përdorur për shkelësit e huaj.
Policia shqiptare ka konfirmuar se shumica e atyre që janë kthyer me forcë këtë vit u dënuan për krime në Mbretërinë e Bashkuar.
Shumica e atyre që kanë pranuar të kthehen e kanë pranuar një program të veçantë të quajtur Skema e Kthimit të Lehtësuar (FRS) përmes të cilit qeveria britanike ofron 1,500 funta mbështetje financiare për secilin që pranon të kthehet në shtëpi.
Një dokument i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thotë qartë se skema është “një stimulim financiar” që u ofrohet të burgosurve të huaj “me kusht që ata të bashkëpunojnë me dëbimin dhe të heqin dorë nga e drejta e tyre për të apeluar kundër tij”.
ERS nuk kërkon pëlqimin e të burgosurve, por disa të dëbuar shqiptarë kanë thënë se dëbimi dhe ulja e dënimit të tyre është prezantuar si vullnetare.
BBC ka kërkuar nga Home Office të konfirmojë se sa shqiptarë janë dëbuar nën ERS që nga fillimi i vitit të kaluar dhe sa kishin marrë stimuj financiarë për të bashkëpunuar, mirëpo përgjigjia e kësaj të fundit ka qenë se nuk i ka publikuar këto statistika.
Një zëdhënës qeverie ka thënë në një deklaratë se “Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo shqiptare punojnë së bashku për ta shfrytëzuar çdo mundësi për ta kapur punën e kontrabandistëve të njerëzve dhe për të përshpejtuar largimin e shqiptarëve pa të drejtë ligjore për të qëndruar edhe më tutje në Mbretërinë e Bashkuar”.
Vitin e kaluar, Akti i Kombësisë dhe Kufijve i qeverisë e zgjati periudhën e lëshimit të parakohshëm të lejuar sipas ERS nga nëntë muaj në një vit. Një nga qëllimet e këtij ndryshimi, sipas një përmbledhjeje të Zyrës së Brendshme, ishte rritja e numrit të largimeve.
I njëjti ligj e shfuqizoi gjithashtu datën e skadencës për dënimet e pavuajtura, që do të thotë se të burgosurit që kthehen në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht do të duhet ta kryejnë pjesën tjetër të dënimit, pavarësisht se sa kohë ka kaluar.
Megjithatë, pavarësisht nga kjo, disa prej tyre (shqiptarëve) gjatë flutirimit të dëbimit muajin e kaluar thanë se po planifikonin të ktheheshin në Mbretërinë e Bashkuar brenda javësh apo edhe ditësh, pavarësisht asaj që shumë e përshkruan si një qasje të re të vijës së ashpër nga policia atje./BBC
Përgatiti: Nuhi Shala