Pamje nga videoklipi "Kosovo - The Young Europeans" | Foto: YouTube

Mbijetesa e 'Evropianëve të Rinj'

Klasa politike aktuale është meritore për lirinë politike – çlirimin dhe pavarësimin e vendit. Por e njëjta klasë politike është përgjegjëse për privimin e kosovarëve nga liritë ekonomike. Korrupsioni, krimi, keqqeverisja, paaftësia për të integruar vendin në forumet ndërkombëtare, kanë bërë që gjendja ekonomike dhe sociale të jetë e vështirë edhe pas 16 viteve nga koha e fitimit të lirive politike. Liria politike nuk është e plotë pa lirinë ekonomike.

Sot, institucionet qeverisëse progresin e vendit e masin me nivelin e GDP dhe krahasimi i saj me vendet e rajonit, kilometrat e rrugëve të shtruara, numrin e objekteve shkollore dhe spitalore të ndërtuara, rritjen e të hyrave buxhetore, privatizimin e ndërmarrjeve publike, dhe numrin e ligjeve të aprovuara. Por të gjitha këto, kanë shumë pak ndikim në mirëqenien ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Përkundrazi, të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), si dhe hulumtimi më i fundit i Iniciativës Kosovare për Stabilitet lidhur me mirëqenien dhe standardin e jetës, dëshmojnë një gjendje në prag të mbijetesës për kosovarët.

Sipas rezultateve të anketës për buxhetin e ekonomive familjare të kryer nga ASK, mirëqenia e kosovarëve në 2014 është më e ulët se ajo më 2012 dhe 2013. Sipas kësaj ankete, 72% e kosovarëve nuk mundem me përballu një pushim njëjavor jashtë shtëpisë së tyre; mbi 60% e qytetarëve nuk kanë mundësi të mbulojnë një shpenzim të pa parashikuar prej 500 eurosh; buxheti i ndarë për aktivitete rekreative nuk e mbërrin as 1% të buxhetit familjar; kurse mbi 88% e buxhetit familjar shkon për shpenzimet bazike, si ushqim, banim, veshmbathje e transport.

Afër 40% e qytetarëve kurrë nuk kanë shkuar në pushim, sipas një ankete të IKS.

Anketa e IKS mbulon disa fusha tjera, të cilat paraqesin një pasqyrë edhe më dëshpëruese. Sipas kësaj ankete, afër 40% e qytetarëve kurrë nuk kanë shkuar në pushim; 42% e qytetarëve nuk ka drekuar në restorant apo jashtë shtëpisë; 86% e popullsisë nuk janë të sigurt se do të mund t’i mbulojnë shpenzimet bazike familjare brenda 12 muajve të ardhshëm. Edhe kjo anketë, ashtu sikurse ajo e ASK, e dëshmon atë se familjet kosovare nuk kanë mundësi të shpenzojnë për aktivitete rekreative. Mbi 90% e qytetarëve nuk kanë qenë kurrë në teatër; 87% nuk kanë qenë kurrë në kinema; 74% nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në ndonjë ngjarje sportive; mbi 90% nuk kanë marr pjesë në ndonjë koncert ose ekspozitë.

Të punësuarit sa për mbijetesë nuk qëndrojnë shumë më mirë sesa të papunët apo ata e ato me të hyra sociale e remitanca.

Këto të dhëna dëshmojnë edhe atë se përveç papunësisë që vazhdon të jetë e lartë (35%), problem mbetet edhe gjendja e rëndë sociale edhe e të punësuarve, buxheti i të cilëve nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet bazike. Këto të dhëna i japin përgjigje atyre pyetjeve se përse kosovarët e punësuar po emigrojnë në vendet e Evropës. Të punësuarit sa për mbijetesë nuk qëndrojnë shumë më mirë sesa të papunët apo ata e ato me të hyra sociale e remitanca.

Shumë ekonomistë kanë filluar të kundërshtojnë matjen e prosperitetit përmes GDP. Në samitin e fundit në Davos, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde, si dhe nobelisti Joseph Stiglitz, argumentuan se GDP nuk është një matës i mirë i mirëqenies. Kjo dilemë se si të matet mirëqenia ishte temë kryesore edhe në numrin e fundit të revistës The Economist. Sipas The Economist, ka kaluar koha kur me rritjen e GDP rritej edhe mirëqenia. Tani, në shumë vende të botës, rritja e GDP shoqërohet me rënie të mirëqenies. Këtë e dëshmon edhe rasti i Kosovës: përderisa për çdo vit rritja e GDP është në shkallë më të lartë se sa në vendet e rajonit, sipas anketës së ASK, standardi jetësor ka shkuar duke u përkeqësuar.

Koncentrimi vetëm në përmirësimin e infrastrukturës, pa u fokusuar në substancë, ka ndikuar negativisht në mirëqenie.

Vendimet ekonomike të qeverive që nga shpallja e pavarësisë kanë ndikuar keq në mirëqenien e kosovarëve. Të tilla janë vendimet për të shpenzuar mbi dy miliardë euro në autostrada. Po ashtu, koncentrimi vetëm në përmirësimin e infrastrukturës, pa u fokusuar në substancë, ka ndikuar negativisht në mirëqenie. Shembuj të kësaj janë të shumtë. Investimet në asfalt dhe hapja e kufijve për vetura të importuara, ka rritur aksidentet në rrugë dhe ndotjen mjedisore. Investimet në objekte shkollore, nuk kanë ndikuar në rritjen e cilësisë në edukim. Investimet në objekte spitalore, nuk kanë sjellë cilësi në shërbime mjekësore.

Andaj, suksesin e një qeverisjeje nuk duhet ta masim me kilometrat asfaltit të shtruar, apo nivelin e GDP në krahasim me vendet e rajonit. Suksesi i një qeverisjeje duhet të matet me nivelin e mirëqenies së qytetarëve të saj, me atë se sa buxhet familjet ndajnë për shëndet dhe edukim, rekreacion e pushim.