Kuqi: Nëse Kodi Kalon, Do ta Amendamentoj të Nesërmen

Ministri i drejtësisë dhe zëvendës kryeministri, Hajredin Kuqi tha sot në një konferencë se ai ka nënshkruar që dy nenet që kanë të bëjnë me media të mos futen në Kodin e ri Penal.

“Është bërë pak zhurmë për Kodin Penal të republikës së Kosovës. Në këtë drejtim janë përmendur dy nene, neni 37 dhe 38. Unë kam nënshkruar që duhen hequr ato dy nene, dhe unë po them po ashtu se nëse ligji hyn në fuqi me ato dy nene, që të nesërmen unë do ta amendamentoj ligjin dhe do ta veje prapë në Kuvendin e Kosovës për t’i hequr këto dy nene,” tha Kuqi.

Ai ka thënë se mediat në Kosovë nuk duhet të ndihen keq sepse ajo është një ndër shtyllat kryesore që matin rendin dhe integrimin Evropian.

“Janë rendi dhe ligji që punojnë shumë, janë mediat e lira dhe shoqëria civile. Në këtë drejtim do ta kenë mbështetjen time të vazhdueshme,” tha Kuqi.

Ai shtoi se do ta shfrytëzoj tërë kapacitetin politik për tërheqjen e dy neneve problematike. 

Kuqi ftoi edhe Presidenten që mos ta nënshkruaj Kodin Penal.

Kryetari i Asociacionit të gazetarëve Profesionist të Kosovës, Arben Ahmeti tha se reagimi i zëvendës kryeministrit është i vonuar. 

“Ndërhyrjet që po i premton ai ka qenë dashur të bëhen atëherë kur a ka pasur mundësinë. Ne vazhdojmë të mbajmë shpresën që presidentja do ta kthej ligjin në parlament në mënyrë që këto dy nene të rishikohen, dhe puna e gazetarëve t`i kthehet normalitetit,” tha Ahmeti.

Gazetarët kosovarë kanë vendosur që pikërisht në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, më 3 maj, ta bojkotojnë punën e institucioneve të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me dy nenet që konsiderohet se cenojnë lirinë e shprehje, të përfshira në Kodin Penal. Bojkoti mund të vazhdojë nëse Kodi Penal nuk kthehet mbrapsht nga presidentja Jahjaga.