Daut Haradinaj Përdor Autoritetin e Tij në Biznes

Deputeti Daut Haradinaj, i vëllai i Ramush Haradinajt liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është i lidhur me një kompani tregtare që operon në Kosovë. 

Ai zyrtarisht figuron si Këshilltar i Jashtëm i “ERC Trade”, pronë e Arben Arifit.

Kompania që u krijua në vitin 2003, sipas shënimeve në faqen zyrtare të saj, është përfaqësuese e kompanisë sllovene “ISKRA” në Kosovë e po ashtu tregton pastën e dhëmbëve Colgate , shamponin “Palmolive”, deterxhentin “Ajax”. 

Po ashtu ajo është përfaqësuese e kompanive si “Belux”, “Lariplast”, “Tomil”, “Rollopack”, “Lusso”,  “Casalini” e “Pochista”. Në certifikatën e biznesit të saj shkruan se ka 10 punëtorë të regjistruar. 

Haradinaj thotë se nuk ka qenë kurrë pronar aksionesh në këtë kompani, por se është vetëm nëpunës i saj.

“Aty jam vetëm Këshilltar i Jashtëm për shkak se Arbenit, i cili është vëlla i Avni Arifit (ish-këshilltar në Qeverinë e Ramush Haradinajt), i duhet një njeri me autoritet. Për shkak të autoritetit dhe respektit që kanë njerëzit për mua, mund t’i ndihmojë atij në biznes”, ka thënë Haradinaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Aty jam vetëm këshilltar i jashtëm për shkak se Arbenit i duhet një njeri me autoritet” Daut Haradinaj

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2012, Haradinaj ka shënuar se merr 18 mijë euro pagë vjetore si Këshilltar i Jashtëm në “Erc Trade”. 

Në vitin 2010, kur kishte deklaruar pasurinë në KQZ, Haradinaj si kandidat për deputet kishte shënuar se është Menaxher i Blerjes në “Erc Trade”.

“Pas daljes nga burgu u punësova aty për të marrë një pagë. Kur kam dalë nga burgu shumë miq më kanë ndihmuar”, tha Haradinaj. “Firma është krijuar shumë më herët, nuk e di saktë kur. Unë vetëm e ndihmoj si Këshilltar i Jashtëm ashtu qysh e kam deklaruar në Anti-Korrupsion”.

Daut Haradinaj ishte arrestuar në qershorin e vitit 2002 së bashku me tre bashkëluftëtarë të tij dhe më pas ishin dënuar me 31 vjet heqje lirie në procesin e njohur si “Grupi i Dukagjinit” për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e katër anëtarëve të njësisë rivale me UÇK-në, e njohur si FARK – Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, më 1999. Haradinaj kishte mbajtur 46 muaj burg ndonëse ishte dënuar me pesë vjet, pasi ishte liruar me kusht një vit para se ta kryente dënimin e plotë.

Arben Arifi, pronar i ERC Trade, thotë se Haradinaj nuk është angazhuar në kompaninë  e tij për shkak të fuqisë politike që ka si deputet e vëlla i liderit të AKK-së. Sipas tij,

Haradinaj në kompani mban kontaktet me drejtues të kompanive prodhuese të cilët duan të shesin produktet e tyre në Kosovë. 

“Unë bashkë me Haradinajn udhëtojmë shpesh bashkë jashtë vendit për të gjetur partnerë. Në këtë drejtim më ndihmon ai”, ka thënë Arifi. 

Kompania ERC Trade, thotë Arifi, paguan me rregull tatimet dhe nuk asnjë problem me respektimin e ligjeve të aplikueshme në Kosovë. 

Haradinaj figuron si pronar i një kompanie marketingu 

Në deklarimet e pasurisë së tij në KQZ e Agjencinë Kundër-Korrupsion, Haradinaj nuk ka shënuar askund se figuron si pronar në një kompani marketingu. 

Në regjistrat e bizneseve në Ministrinë për Tregti e Industri (MTI) pronarë të kompanisë “Adda Group” , SH.P.K figurojnë Daut Haradinaj e Avni Arifi, që të dy nga e njëjta parti politike. 

Kompania ka vetëm dy punëtorë të regjistruar dhe është e regjistruar më 6 janar të vitit 2009. Kapitali themelues i kësaj Shoqërie me Përgjegjësi të Kufizuar është 4 mijë euro dhe selia e saj është në bulevardin “Nëna Terezë”. 

Avni Arifi ka qenë i pakontaktueshëm gjatë javës së kaluar. Sekretari i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë për të se është jashtë vendit në pushim vjetor. 

Ndërkohë Haradinaj ka thënë se kjo kompani nuk ka pasur kurrë qarkullim financiar.

“Kam mendu që veç e ka mbyll Avniu. Nuk është deklaru se nuk ka pas qarkullim financiar asnjëherë”, ka thënë Haradinaj. 

Ai ka thënë se projekti i përbashkët me Arifin ka mbetur vetëm ide e paaktivizuar. 

“Pas daljes nga burgu e nisëm si ide dhe nuk u aktivizua kurrë. Kjo ka qenë para se të kandidoja për deputet”, ka thënë ai. 

Ndërkaq Hasan Preteni drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion ka thënë se rasti i mosdeklarimit të këtij biznesi nga ana e Haradinajt do të trajtohet nga zyrtarët e agjencisë për të konstatuar nëse ka apo jo shkelje të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë. 

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, me nenin 17 (paragrafi 10), rregullon se “zyrtari i cili ushtron veprimtari të pavarur, ndërmarrje apo veprimtari tjetër fitimprurëse, është i detyruar për këtë të lajmërojë institucionin ku ushtron funksionin publik në afatin prej tridhjetë ditësh nga dita e pranimit të funksionit”.

Pasuria e Deklaruar e Daut Haradinajt 

Ai ka marrë pozitën e deputetit më 21 shkurt të vitit 2011 ndërsa që 1 janari  i vitit  2008 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së. 

Në deklarimin  e pasurisë në vitin 2012 ka shënuar se si pasuri të paluajtshme posedon një shtëpi banimi me sipërfaqe prej 250 metrash katrorë e blerë përmes kredisë e huazimit në vitin 2008 në vlerë prej 195 mijë eurosh. 

Po ashtu ka shënuar se posedon 10 ari tokë të blerë në vitin 2008, vlera e të cilëve është 10 mijë euro.  

Këtë vit ai ka deklaruar se e lëshon me qira shtëpinë – 399 metra katrorë.

Kjo shtëpi sipas tij është lëshuar me qira për periudhën 2012-2016 dhe nga kjo përfiton 1 mijë e 850 euro, por për këtë shumë Haradinaj nuk ka cekur a është mujore apo vjetore. 

Ndërkohë si pasuri të luajtshme ai ka deklaruar një veturë të tipit Mercedes të blerë në vitin 2008 në vlerë prej 10 mijë eurosh si dhe një Jeep Cheroko të blerë në vitin 2007 në vlerë prej 15 mijë eurosh.

Bashkëshortja e tij ka në pronësi një veturë të tipit Audi të vlerë në vitin 2007 në vlerë prej 8 mijë e 500 eurosh. 

Ndërkohë Haradinaj ka deklaruar se ka në pronësi Gjesende Personale e dhurata e të trashëguara në vlerë prej 16 mijë e 500 eurosh. 

Haradinaj ka afro 9 mijë  euro të mbajtura në bankë ndërsa bashkëshortja e tij ka 2 mijë e 600 euro.

Bankës Ekonomike ka shënuar se ia ka 37 mijë euro borxh të cilat duhet t’ia kthej deri në vitin 2014 e po ashtu 30 mijë euro borxh i ka edhe familjes së bashkëshortes së tij Muqaj për të cilin nuk ka një afat të caktuar të kthimit.

Haradinaj ka kallëzuar se nga pozita e tij si Deputet merr 16 mijë e 536 euro në vit e 18 mijë euro nga “ERC Trade”.