Ballkani Nuk Ka Bërë Progres për të Drejtat e Njeriut

Nuk ka pasur përmirësim të dukshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Bosnjë, Kroaci, Kosovë dhe Serbi në vitin 2012, tha organizata në New York në raportin vjetor për më shumë se 90 shtete dhe territore në mbarë botën.

Njëzet vjet pas luftës, Bosnja dhe Hercegovina ende nuk ka bërë progres të mjaftueshëm drejt lejimit të personave të zhvendosur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, tha raporti i publikuar të enjten nga Human Rights Watch, HRW.

“Praktikisht nuk ka pasur progres në implementimin e strategjisë së 2010-tës për të mbështetur kthimin e refugjatëve dhe IDP-ve [persona të zhvendosur brenda vendit] në shtëpitë e para luftës, edhe pasi qeveria e re u formua në shkurt të vitit 2012”, thuhet në raport.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2012, 185 refugjatë dhe 198 persona të zhvendosur brenda vendit u kthyen, sipas agjencisë së refugjatëve të OKB-së, UNHCR, një rritje e vogël në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2011.

Sipas shifrave më të fundit në qershor të vitit 2012, ka pasur ende 112 802 persona të zhvendosur brenda vendit të regjistruar, shifër më e ulët se 113, 188 që ishte një vit më parë.

HRW tha se dhoma e gjykatës së shtetit për krime lufte në Bosnjë arriti në vendime në 13 raste mes shtatorit të vitit 2011 dhe 2012.

Sidoqoftë, paralajmëroi se kapacitetet e papërshtatshme dhe financimi për gjykimet e krimeve të luftës vazhdoi të pengojë implementimin e strategjisë së krimeve të luftës në gjykatat e kantonit dhe të qarkut në Bosnjë.

Raporti paralajmëroi se situata e të drejtave të njeriut në Kroaci është përkeqësuar tek sa Zagrebi lëviz më afër BE-së.

“Autoritetet kroate morën hapa serioze për të përmirësuar gjyqet e krimeve të luftës në vend, por një program banimi për serbët të cilëve i është hequr e drejta e pronës gjatë luftës ndihmoi vetëm dy nga më shumë se njëmijë shtëpi që ishin të afta”, thuhet në raport.

Në mars të vitit 2012, pesë ish-ushtarë kroatë u arrestuan për dyshimin se kanë kryer krime lufte ndaj serbëve gjatë një operacioni ushtarak në fshatin Medak, në Kroacinë lindore në vitin 1993.

Tre veta u liruan ditën pasi u morën në pyetje, ndërsa gjykata liroi një të katërt në tetor pas një rishqyrtimi të prokurorisë të aktpadisë kundër tij për dyshime se ka urdhëruar ekzekutimin e katër të burgosurve të luftës.

Deri më tani, gjenerali Mirko Norac mbetet zyrtari i vetëm i lartë kroat i dënuar për krime lufte gjatë operacionit.

Në raport thuhej gjithashtu se vetëm 128 serbë u kthyen në Kroaci gjatë gjysmës së dytë të vitit 2011 dhe gjysmës së parë të vitit 2012, që është ulur së tepërmi nga 479 kthimet gjatë së njëjtës periudhë një vit më parë.

“Më shumë se dy vjet pas fillimit të një projekti [kroat] për t’i lejuar serbët të cilëve iu është shkelur e drejta e pronësisë gjatë luftës së viteve 1991-1995 për të blerë apartamente me ulje deri në 70 për qind, vetëm dy nga një total 1 317 familjesh kanë përfunduar blerjen deri në shtator”, shtoi raporti.

Ka pasur pak progres, sidoqoftë në procesim të kërkesave për pension në Serbi, duke lejuar njohjen e punës gjatë luftës në ish-zonat e kontrolluara nga rebelët.

Serbia ka bërë pak për të përmirësuar të drejtat e njeriut në vitin 2012, pavarësisht se iu dha statusi i kandidatit marsin e vitit të shkuar për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Raporti i Human Rights Watch kritikoi mungesën e përpjekjeve në Serbi për të zbuluar rrjetet që ndihmuan të arratisurit e krimeve të luftës të kërkuar nga Tribunali i Hagës për t’iu shmangur drejtësisë.

Zyra e prokurorit serb për krime lufte që nga ajo kohë ka filluar të hetojë 13 të dyshuar, përfshirë një ish-zyrtar të lartë sigurie.

Serbia ka bërë gjithashtu pak progres drejt gjetjes së një zgjidhjeje të përhershme për refugjatët dhe personave e zhvendosur brenda vendit nga luftrat në Ballkan.

Sipas UNHCR-së, në korrik të vitit 2012 ishin 66 563 refugjatë në Serbi, shumica nga Kroacia, dhe 210 146 persona të zhvendosur brenda vendit nga Kosova.

Human Rights Watch tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet i dobët me një numër të lartë rastesh të trashëguara, duke shtuar se mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut mbesin të dobëta.

“Romët, ashkalinjt dhe egjiptasit [minoritetet etnike] mbetën mes grupeve më të pambrojtura në Kosovë. Vazhduan të hasen me diskriminim në fushat si banimi, arsimimi dhe qasja në shërbimet publike”, thuhej në raport.

“Tensionet mes minoritetit serb dhe shumicës shqiptare qëndruan të larta në vitin 2002, veçanërisht në qytetin e ndarë të Mitrovicës në veri të Kosovës”, thuhet në raport.