Babadimri dhe Babadimresha e Prishtinës

Këtë sezonë festash, Gazeta Jeta në Kosovë bisedoi me Babadimrin dhe Babadimreshën në shtëpinë e tyre në ‘Albi Mall’ në Prishtinë.

NDËRLIDHUR

Kur nuk e mban mjekrën e bardhë të rrejshme, Valdrin Mexhuani zakonisht punon si banakier ose kamarier. Këtë vit ishte hera e parë që ai vishet si Babadimër për të pozuar për fotografi në ‘Albi Mall’. Ai pranon se gëzimi i fëmijëve mund të ketë qënë talenti i tij i fshehur.

Nga ana tjetër, Qëndresa Kutllovci është veterane e biznesit babadimror. Që tri vite me rradhë ajo luan rolin e Babadimreshës. Kur nuk është e zënë duke përshëndetur fëmijët gjatë sezonit të ngarkuar të dhjetorit, ajo punon si grimere.

U takuam tek skena fotografike, të ulur në divanet dhe kolltuqet e verdha, ndërsa sezoni i fotografive po mirrte nxitim gjatë javës së parë të dhjetorit. Bredhi i stolisur dhe kutitë shumëngjyrëshe të dhuratave qëndronin pas nesh. Dritaret e rrejshme dhe fjollat e borës mbi hënën e plotë i kishin praraprirë asaj borës së bukur që kishte mbuluar Prishtinën atë fundjavë.

Sapo kishim filluar bisedën tonë kur erdhi një zotëri për të pyetur nëse Babadimri dhe Babadimresha ishin në dispozicion për një fotografi. Kështu  e shtymë bisedën tonë, me shpejtësi i zhvendosëm karrigat, dhe zotëriu ja bëri me dorë bashkëshortes së tij e cila në krah mbante foshnjen e tyre. Bukuroshi i vogël vazhdoi të buzëqeshte edhe pasi kaloi në krahë të Babadimrit.

Babadimri dhe Babadimresha u ulën në divanin e verdhë me vogëlushin në mes. Fotografi nxorri kamerën dhe filloi fokusimin e objektivit, ndërsa asistenti i tij filloi të cingërroi me zilen e Babadimrit për t’ja marr vëmendjen bebes. Nëna e tij vazhdonte t’ja thërriste emrin, ndërsa gjyshja bënte fytyra qesharake tek i fliste përkëdhelshëm, dhe krrak, krrak, krrak.

Kjo ishte fotografia e parë e vogëlushit me Babadimrin dhe Babadimreshën. Kutllovci tha se kanë shumë myshterinjë besnikë. Ndërsa fëmijët i rriten, ata rikthehen çdo viti për një foto të re me Babadimrin.

Babadimri i proletariatit të Vitit të Ri

Banorët e Prishtinës që janë rritur gjatë mesit dhe fundit të 1980-ave do të kujtojnë vizitat e Babadimrit nëpër çerdhet e tyre. Që nga fëmiria mbaj mend se si mjekra e dëndur e Babadimrit ishte nga pambuku i grumbulluar në formë.

Palltoja e gjatë ishte ngjyrë gështenje në vend të të kuqes, dhe flokët e gjata të zeza dilnin nga kapela e improvizuar kuq-e-bardh. Si sot mbaj mend se Babadimri kishte zë gruaje dhe kishte mbathur çizme me taka të larta. Por asgjë nga këto nuk ishte me rëndësi ngaqë krejt çka të gjithë fëmijët donin ishin qeset me dhurata që ata merrnin — thasë të vogla nga plastika e tejdukshme të vizatuara me fjolla bore dhe drerë, të mbushura me bombone, çokollata dhe ëmbëlsira.

Mund të rastiste ndonjë libër apo lodër modeste, por kush mban mend n’mes të krejt asaj gjurulldie që vjen nga ‘overdoza’ e sheqerit.

Ndryshe nga emri Santa Claus në anglisht, Baba Dimri në shqip, dhe Deda Mraz në serbisht, personifikon stinën e dimrit përmes një figure prindërore të urtë e të moshuar. Ngjashëm është edhe emri për Plakun e Vitit të Ri në Shqipëri.

Përshkak se Ballkani është udhëkryq i feve , etnive, kulturave, dhe gjuhëve, në Kosovë, sikur në shumë vende tjera, figura e Babadimrit nuk lidhet posaçërisht me Krishtlindjet sikur ajo e Santa Claus në shtetet Perëndimore, dhe dhuratat dhurohen deri më Vitin e Ri e përtej.

Kjo gjithashtu mund të jetë trashëgimi që socializmi dhe/ose komunizmi lanë në këto troje ndërsa tentonin ta krijonin “njeriun e ri”, të lirë nga ndikimet e fesë, përpos nga më e madhja prej krejt opiumeve të masave, asaj të ideologjisë.

Është goxha e çuditshme se si simboli i kapitalizmit dhe konsumerizmit si veprimtari patriotike — Babadimri ynë i dashur — arriti që asokohe të qëndrojë, mbijetojë, e madje edhe të përvetësohet.

Kjo është arsyeja pse në Prishtinë Babadimri dhe Babadimresha e tanishme do të kenë shtëpinë e tyre në Albi Mall hapur për biznes deri në Vitin e Ri.

Punë, si krejt tjerat

Përveç foshnjeve dhe fëmijëve të cilët fotografohen me Babadimrin dhe Babadimreshën, ka edhe familje të tëra që pozojnë për portrete në grup. “Ka edhe ma të rritun, 60 vjeç ma i vjetri,” thot Mexhuani, “kan qejf me dal n’fotografi tu’ përqafu”. Pastaj ka turistë nga regjioni, ose ndërkombëtarë dhe ushtarë që shërbejnë në Kosovë, ose nxënës të shkollës së mesme ose universiteteve, të cilët provojnë poza më shakatare, si për shembull duke u ulur në prehër të Babadimrit ose duke u zgërdhiher.

Por fotografimi si Babadimër ose Babadimreshë është më vështirë sesa që duket në shikim të parë. Jo gjithë fëmijët janë bashkëpunues sikur ai vogëlushi i qeshur.

“Najhere fëmijët ma të ri, dy a tre vjeç, frikësohen (prej fotoaparatit ose prej mjekrës së bardhë të Babadimrit)”, thot Kutllovci, kështuqë roli i Babadimreshës është që t’i bëjë ata të ndjehen rehat.

“Shpesh i afroj dhe i them ‘hajde se Babadimri është i mirë. Të bjen dhurata. Hajde prekja mjekrën (sa e butë dhe lëmuar është)’, e kësi gjëra”, shtoi Kutllovci.

Pastaj, ka fëmijë të cilët as që dojnë të fotografohen me Babadimrin, por vetëm me Babadimreshën.

“Për shembull, para do dite ke një fëmijë i halitun, dhe e patëm problem,” tha Kutllovci, ndërsa përshkroi se si një dy-vjeçarë i cili ishte zemëruar dhe kishte filluar të shtrihej nëpër tepih sepse donte që prindërit ta çonin tek këndi i lodrave, menjëherë. “arrita me e marr në prehën dhe me e qetësu dhe me u ba me qeshë për kamerën.”

Krejt kjo duket kaq e thjeshtë dhe e lehtë tani, thot Kutllovci. “Por, vitin e parë nuk dijsha me i afru fëmijët ngat vetit.”

Ndërsa flisnim, një fëmijë që kalonte andej pari ndaloi mu përpara derës dhe ja nguli sytë Babadimrit dhe Babadimreshës dhe i magjepsur mundohej ta sodiste gjithë atë skenë, krejtësisht duke i mospërfillur thirrjet e prindërve veç disa hapa larg. Mexhuani and Kutllovci ja bënë me dorë prej brenda dyqanit. Fëmiu ja ktheu me buzëqeshje, një përshëndetje të shpejtë me dorë, dhe, sikur të ishte i turpshëm, iku drejtë prindërve të tij me hapa të luhatshëm.

Mexhuani dhe Kutllovci thonë se fëmijët që ndalojnë përpara derës janë ndodhi e zakonshme, dhe në fakt është pjesë e punës që t’i bësh fëmijët të ndihen rehatshëm që të vinë brenda për një foto. Kjo është arsyeja pse çdoherë që ata nuk janë duke pozuar për fotografi, Babadimri dhe Babadimresha janë të zënë tek përshëndesin me dorë vizituesit e qendrës tregëtare, myshterinjtë e tyre potencial.

Babadimri dhe Babadimresha fillojnë punën rreth 10 e 30 në mëngjes. Në vend të drerëve fluturues që ngrehin sajën e Babadimrit si nëpër tregime, është pronari i dyqanit fotografik ai i cili e merr Mexhuanin çdo mëngjes me kerr dhe së bashku shkojnë për në Albi Mall.

Nga ana tjetër, Kutllovci ka një kusherinë e cila i jeton në një nga fshatrat afër qendrës tregëtare. Dhe kështu, gjatë sezonit të Babadimrave, dmth gjatë gjithë muajit dhjetor, ajo rri tek shtëpia e kushërirës në mënyrë që të jetë më afër punës.

Puna e tyre zgjatë deri rreth 10 e 30 të natës.

“Mbas 15 (Dhjetorit), as prej kauçit nuk mundemi me lujt sa punë kemi”, tha Kutllovci.

Sidoqoftë, kur e krahason këtë me punët tjera, Mexhuani thot se të qënit Babadimër mund të jetë më lehtë.

“Është ma leht’ me fëmijë me u marr se me tulifar njeri t’madh (e të rritun)”, that Mexhuani. “(Paj, përpos që) kur po vinë fëmija me pampers të mbushur”, dhe qeshi ndërsa rikujtonte tregimin se si gjatë një seance fotografike mbante një foshnje në prehër, rreth një vjeç, e që i kishte stërmbushur pantollonat. Badadimrit iu ishte dashur ta mbante buzëqeshjen e ngrirë derisa kamera shkrepi foton.

Dhurata për engjëj dhe sherra

Ndërsa bisedonim pranë kaminit të ngrohtë të Babadimrit dhe Babadimreshës në shtëpinë e tyre në Albi Mall, nuk mund e të mos mendoja për dhuratat që dëshiroja, ngaqë këtij viti kisha qenë kryesisht i urtë. Por çfar dhuratash dojnë fëmijët ditëve tona, mendova.

“Djemtë dojnë Spajdermena dhe Betmena”, tha Mexhuani. “(Gjithashtu ka edhe kërkesa) për vetura me bateria, por edhe vetura t’mëdhaja e t’vërteta. Kan shumë qejf me i cekë ngjyrat: ‘kerrin e kuq’, ose ‘kerrin e kaltërt’”, tha Mexhuani me gaz.

Nga ana tjetër, vajzat duket të ndihen më komod duke ja treguar dëshirat e tyre Babadimreshës, tha Kutllovci, dhe shtoi se shpesh ato kërkojnë kukulla Barbie, apo lloje tjera me flokë të gjata.

“I thojmë fëmijëve me i dëgju prindërit”, tha Kutllovci. “Pastaj i kallxojmë prindërve çfar dhurate (kan dëshiru fëmijët e tyre)”.

Kur fëmijët arrinë moshën pesë apo gjashtë vjeçare, ata veçse e kanë krijuar atë dashurinë për Babadimrin.

“Të vinë ygjym shpejt me të përqafë“, tha Mexhuani, dhe shpjegoi se si një ditë në fillim kur sapo kishte filluar punën po rrinte para derës së dyqanit duke përshëndetur njerëzit, kur një fëmijë i kish kërcyer nga mbrapa. “(Ishte) hera e parë, dhe përpak me më rrëzu përtoke”.

Por krejt kjo është pjesë e dashurisë për Babadimrin, thotë Mexhuani, prej ngrehjes së mjekrës e deri tek futja e gishtit në sy përmes syzave të tija fallc e pa xhama: “Përpak me m’çorrue.”

 

Kur maskat hiqen

Kutllovci tha se pasiqë kostumi i saj nuk ja mbulon fytyrën, ajo njihet nga fëmijët anembanë qytetit ndërsa ecë rrugëve jashtë orarit të punës. Shumë prindërve nuk u kujtohet se ku e kanë parë ndërsa harrojnë se fytyrën e saj e shohin çdo herë kur shikojnë fotografitë e fëmijëve të tyre në murë.

Kutllovci ka punuar si Babadimreshë për tri vite me rradhë, dhe çdo vit kishte model tjetër të flokëve, gjë që mund të shpjegonte përse njerëzve mund t’ju duket e njohur, por që e kanë të vështirë ta dinë se prej ku saktësisht.

“Vitin e parë i kam pas flokët e kafta, vitin e dytë të bardha, dhe tash të zeza. S’po di, njerëzit po thonë kështu ma së miri,” tha Kutllovci.

Si grimere, ajo është përgjegjëse për vetullat e hirta të Babadimrit. Kutllovci thotë se kjo nuk merr shumë kohë krahasuar me grimin e saj, i cili mund të shkojë prej 30 minutash e deri në një orë. Pasi që është për fotografi, duhet të jetë perfekt.

Kur ditës i vie fundi, dhe pasi që Mexhuani zhvesh kostumin e tij të Babadimrit, ndërsa ecë nëpër katet e qendrës tregtare, muzika e festave të fundvitit është ajo që mbetet me të.

“Kjo muzika edhe n’andërr po m’del”, tha Mexhuani me humor.

Duke ecur, kohë pas kohe ai takon njerëz dhe shpesh fillon dhe e jau bën me dorë e i përshëndetë. Kur sheh se njerëzit e shikojnë në mënyrë të çuditshme atij i kujtohet se nuk e ka më të veshur kostumin e Babadimrit.

04 Janar 2018 - 10:20

Artrit Bytyçi 04/01/2018 - 10:20
NDËRVEPRIMI11

Babadimri dhe Babadimresha e Prishtinës

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend