Ganimete Musliu: Mishi i prishur nga Belgjika nuk hyri në Kosovë

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, iniciuese e debatit parlamentar për skandalin me mish të prishur, tha që në Kosovë nuk ka hyrë mishi nga Belgjika. Sipas saj, ky mish  është asgjësuar.

“Ky mish për herë të parë është tentuar të futet në Kosovë në shtator të vitit 2016, ndërsa tentative e dytë ishte në gusht 2017. Në të dyja rastet është zbuluar dhe asgjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë”, tha Musliu.

Ajo tha se sipas informatave që i kanë nga AUV-i, në rastin e parë ka ardhur në Kosovë vetë zyrtarja belge, ndërsa në rastin e dytë ajo nuk ka qenë prezente, por ka marrë informatën dhe kanë nisur procedurat për kompaninë në Belgjikë.

“Duhet ta themi zëshëm që është bërë asgjësimi i mishit nga Belgjika dhe nuk ka mundur të hyjë në Kosovë”, tha ajo.

Ajo tha se ka marrë me shqetësim raportimet e mediave për skandalin e mishit të prishur dhe se vendi për një muaj po përballet me shumë informata dhe dezinformata.

Kësisoj, ajo propozoi që në fund të debatit parlamentar të votohen rekomandimet në lidhje me këtë temë.

Në mars shpërtheu skandali i mishit nga Belgjika kur në këtë shtet një kompani që kishte importuar mish edhe në Kosovë u mbyll për shkak të kushteve johigjienike të mbajtjes së mishit.

http://kallxo.com/gjykata-vendos-per-biznesmenin-anton-jupa/

Nëpër komunat kosovare pas këtij skandali janë sekuestruar sasi të shumta të mishit të mbajtura nën standardet e kërkuara për këtë produkt.