Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Drejtori i RTK 2 Del Para Gjyqit

Në seancën fillestare të gjykimit të të akuzuarit Zharko Joksimoviq, avokati i tij, Betim Shala, e luti Gjykatën që të shtyhet seanca me arsyetimin se ai nuk ishte pajisur me kohë me shkresat e lëndës.

“I lutem Gjykatës që të shtyjë këtë seancë që ne të mund të konsultohemi në lidhje me pranimin e fajësisë. Shkresat e lëndës nuk i kam pasur dhe sot jam ftuar nga Prokuroria që t’i marr ato”, tha avokati Shala.

Sipas aktakuzës Zharko Joksimoviq në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i kanalit 2 në Radiotelevizionin e Kosovës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitonte çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Zharko Joksimoviq si përfaqësues i RTK-së në shtator të vitit 2013 kishte bërë një kërkesë që i ishte aprovuar për vizitë të punës në panairin e Teknikës dhe Teknologjisë në Amsterdam të Holandës, e cila ishte planifikuar të mbahej për tri ditë radhazi në shtator të atij viti.

Këtë vizitë pune i akuzuari nuk e kishte realizuar por para Shërbimit të Financave të RTK-së kishte paraqitur biletën e udhëtimit me aeroplan, falsifikimin e faturës të qëndrimit në “Brussels Hotel Continental” në shtetin e Belgjikës dhe biletën e autobusit drejt Amsterdamit.

Joksimoviq para Shërbimit të Financave të RTK-së i kishte paraqitur si dokumente biletën e lëshuar nga “Eurolines Belgium”, vulën e fluturimit në vizën Shengen në pasaportën e tij dhe mëditjet e qëndrimit jashtë Kosovës , se kinse ka realizuar vizitën e punës në panairin e lartcekur me ç’rast nga RTK ka përfituar shumën prej 1.226 euro në emër të udhëtimit zyrtar në Amsterdam të Holandës.

Me këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në bazë të aktakuzës i akuzuari Zharko Joksimoviq në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i RTK 2 në Radiotelevizionin e Kosovës, me anë të këtyre veprimeve ka vënë në lajthim organin kompetent-Shërbimet e Financave të RTK 2 prandaj po akuzohet edhe për veprën penale legalizimi i përmbajtjes së rreme.

Kërkesa për shtyrje të gjykimit u aprovua nga kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti. Seanca e radhës mbahet në fund të këtij muaji.