Eksperti Financiar Përsëri në Gjykimin e Çoçajt

Drejtori i Arsimit në Prizren Nexhat Çoçaj dhe mësimdhënësit Bekim Thaçi e Bedri Çeku akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fondeve të manifestimit “Java e Remzi Ademajt”

Eksperti financiar Agim Kastrati në bazë të ekspertizës shtesë që kishte përgatitur në seancë tregoi se në vitet 2008-2009 kishte tejkalim buxhetor.

“Tejkalimet e bëra për vitin 2008 dhe 2009 janë të pabaza, sepse e kanë tejkaluar shumën e përcaktuar nga kryetari i komunës dhe mua aspak nuk më intereson se kush është fajtor për këtë,” tha eksperti Kastrati.

Ai deklaroi se nuk e konteston faktin që ato mjete janë shpenzuar për manifestim.

Çoçaj, Thaçi e Çeku akuzohen për keqpërdorim të “Javës së Remzi Ademajt” në vitet 2008-2012. Në këto vite mjetet për këtë manifestim janë ndarë ose nga kategoria mallra e shërbime, ose nga subvencionet.

Kastrati trupit gjykues tha se e ka shfletuar ligjin dhe dokumentacionet përkatëse për të gjetur përgjigje në pyetjen që i ishte bërë në seancën e kaluar se a janë subvencionet të liruara nga procedurat e prokurimit publik.

Këtë përgjigje tha se e kishte gjetur në një dokument ku sipas tij shpjegohej kjo çështje.

“Në nenin 3 të këtij dokumenti ku kam gjetur informacionet, janë të precizuara shpenzimet që nuk kërkojnë prokurim, në mesin e tyre në pikën 3.5 janë subvencionet… që do të thotë se kategoria e subvencioneve është e liruar nga procedura e prokurimit publik,” tha Kastrati.

Sipas tij në vitet 2008, 2009 e 2010 mjetet për “Javën e Remzi Ademajt” janë dhënë nga kategoria mallraa e shërbime.

Kastrati tregoi se për vitin 2011 janë lëshuar mjete nga pozicioni i subvencioneve, përderisa për vitin 2012 tha se janë lejuar mjete në vlerë prej 10 mijë eurove, 50 për qind prej të cilave kanë qenë subvencione dhe 50 për qind nga kategoria mallra dhe shërbime.

Edhe 50 përqindëshi i vitit 2012 sipas ekspertit financiar është dashur t’u nënshtrohej procedurave të tenderimit gjë që Kastrati tha se nuk është bërë.

Kastrati tha se pagesat për “Javën…” janë bërë në emër të subvencioneve, edhe pse këto mjete në konkluzionin e kryetarit nuk ishin të lëshuara si subvencione. Kjo për Kastratin tregon edhe kontrollin e brendshëm të dobët komunal.

Marrja në pyetje e të akuzuarve do të bëhet në seancën e radhës që do të mbahet më 6 maj.

Çoçaj dhe dy mësimdhënësit aktakuza i ngarkon për keqpërdorimin për pesë vjet të parave të manifestimit “Java e Remzi Ademajt”.

http://kallxo.com/skandaloze-ja-per-cka-akuzohet-nexhat-cocaj-ne-aktakuzen-e-re/