Dëshmon Eksperti Financiar në Gjykimin e Drejtorit të Shkollës

Eksperti financiar Mentor Prekazi ka dëshmuar në gjykimin e ish drejtorit të shkollës teknike “28 Nëntori”, i cili ka mbrojtur ekspertizën e tij të përpiluar me shkrim.

Shemsi Lushaku akuzohet se gjatë periudhës kohore 2010-2013, kur kishte qenë i kësaj shkolle, në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar 8.624.72 euro.

Në pyetjen e prokurores se a qëndroni pranë ekspertizës, eksperti financiar Mentor Prekazi para trupit gjykues tha se i qëndron besnik ekspertizës së tij por me një rezervë.

“Qëndroj pas deklaratës me një rezervë, të sqaruara në faqen katër të ekspertizës sepse materiali për shqyrtim është tejet i mangët”, u përgjigj Prekazi.

Në pyetjen e avokatit Ramë Gashi se ku e ka marr materialin që e ka përpiluar ekspertizën, Prekazi u përgjigj se këtë material e kishte marrë nga prokuroria.

Seanca e radhës u caktua më 27 tetor ku do të bëhet leximi i provave materiale.

Ish-drejtori i Shkollës Teknike në seancat e kaluara është deklaruar i pafajshëm.