Të akuzuarit Zoran Vukotiq i hiqen prangat në sallën e gjyqit - Foto: KALLXO.com

Dëshmitarja në Gjykimin e Vukotiqit: Burrin e Detyruan ta Hajë Letërnjoftimin

Zejnepe dhe Besart Xhema që mes vete janë nënë e bir dëshmuan në gjykimin e Zoran Vukotiqit në akuzën ndaj tij për vrasjen e katër shqiptarëve në Vushtrri.

Pas pyetjes se prokurorit Zejnepe Xhema filloi rrefimin e saj duke treguar se ditën kur ishin vrarë katër shqiptaret në Vushtrri, dy persona kishin hyrë në shtëpinë e saj dhe kishin rrahur atë dhe familjarët.

Njëri nga këta dy persona sipas përshkrimit të dëshmitares, ishte i gjatë ndërsa tjetri më i shkurtër dhe me maskë.

“Kanë hi dy persona me dy vajza që i kanë pru me dhunë i kanë shti në shtëpinë tonë. Mas pari kur kane hi i kanë ulë ato dyja, ndërsa mua me kanë godite në kokë, mandej kanë lyp pare dhe e kanë marrë djalin e kunatit dyvjeçar, e kanë kap për një këmbe koka i ka prekë në tokë. Njëri që ka qenë më i gjatë dhe ka thanë tash ky është i jemi dhe kam më ia hjek kokën “, tregoi dëshmitarja.

Tutje Xhema tregoi se në momentin kur vjehrra e saj kishte ndërhyre që të mbronte fëmijën e vogël, personi që kishte qenë me i gjatë e kishte goditur vjehrrën e saj me grushte.

Më pas dëshmitarja tregoi se si ishin rrahur djali i vëllait të saj si dhe bashkëshorti ishte detyruar të hante letërnjoftimin.

“Ky më i gjati e ka rreh edhe djalin e vëllait, ndërsa ai me i shkurti e ka marrë letërnjoftimin e ia ka fut në gojë burrit tim dhe i ka thanë haje duke i vënë revolen në ballë. Djali im ka bërtit ma çka po i boni babit ata ju kanë kthy e kanë rreh edhe djalin, i cili prej atëherë është me trauma. Ne ua kemi dhëne 2000 marka për t’i shpëtuar këta, qashtu tu sill në kunatin dhe në djalin e vëllait tim i kanë qit në korridor “, tha dëshmitarja.

Në fund të dëshmisë së saj dëshmitarja shtoi se nuk mund të përcaktonte se çfarë kishin pasur veshur këta persona por ishte e sigurt që kanë qenë të armatosur.

“Ndoshta ata nuk kanë qëndru gjatë në shtëpinë tonë, por për ne ka qenë boll. Nuk me kujtohet se çka kanë pasur veshë mundem me gabu nëse them diçka pasi që ka kaluar kohë e gjatë dhe kam qenë e traumatizuar, ai me maskë ka pasur automatik, revole, ndërsa automatik, revole, thikë me gjak ky më i gjati “, shtoi dëshmitarja.

Dëshminë në gjykatë e dha edhe Besart Xhema i cili në atë kohë kishte qenë 14 vjeçar.

Edhe ai së bashku më familjarët e tjerë ishte rrahur keq nga dy persona që ishin futur në shtëpinë e tyre me 5 maj 1999 ditën kur në Vushtrri ishin vrarë katër shqiptarë, ndërsa sipas aktakuzës kanë qenë Zoran Vukotiq dhe Goroljub Paunoviq.

“Kanë hy dy persona dhe i kanë pasur me veti dy çika të kojshive me to kanë hy duke i tërheq prej flokëve dhe në atë moment axha Nexhmiu ka tentu me dalë me kqyr çka po ndodh, mirëpo ata se kanë lanë me fol edhe bashkë me ta janë futur brenda dhe dhomën ku kemi qenë duke ndejt ne“, tha dëshmitari.

Tutje dëshmitari tregoi se si njëri nga personat të cilit iu referua që ka qenë më i gjatë e kishte goditur me shkelm djalin e dajës së tij, babanë e tij e kishte detyruar që të hante letërnjoftimin ndërsa kur gjyshja e tij kishte reaguar duke i thënë se “Çfarë po boni a keni fëmije ju “, personi pa maskë e kishte goditur dhe përplas gruan e moshuar.

Besart Xhema tregoi se edhe djali i xhaxhait të tij që kishte qenë shumë i vogël ishte maltretuar shumë keq.

“Më kujtohet djali i axhës Endriti ka qenë shumë i vogël e ka kap e mbajke me dorë pezull me thikë në fyt ai personi pa maskë, kur Endriti i ka rrëshqitur nga dora dhe ka rënë në tokë ka tentu nëna e vet me kap, atëherë ky personi i ka shty të dytë”, tha dëshmitari.

Edhe vetë dëshmitari tha se ishte rrahur nga Zoran Vukotiq i cili e kishte ndjekur atë rreth tavolinës së bukës.

Dëshmitari tregoi se ishte rrëzuar mbi vëllain e tij të vogël duke ikur dhe ashtu mbi të e kishte goditur disa herë.

Në fund të dëshmisë së tij dëshmitari tregoi se nga rrahjet që kishte pësuar kishte pasur probleme të mëdha shëndetësore të cilat ishin identifikuar si stres posttraumatik.

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Goroljub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrahnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalur jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Në lidhje me këto akuza Vukotiq është deklaruar i pafajshëm në gusht të vitit që shkoi.