I Dëmtuari: Prokurori Tha se Ka Nevojë për 5 Mijë Euro

Gjykimi ndaj ish-prokurorit të Prizrenit, që po akuzohet për keqpërdorim të detyrës, po zhvillohet në Gjykatën e Gjilanit.

Paçarizi tha se prokurori Hamitaga ishte takuar me xhaxhain dhe gjyshin e tij.

“Siç më kanë treguar gjyshi dhe axha im, Bajram Hamitaga ju kishte thënë: “Bini mas se e ka punën keq Graniti”, tha Paçarizi para trupit gjykues.

Paçarizi nga ish-prokurori Hamitaga po hetohej për armëmbajtje pa leje lidhur me një incident të vitit 2013.

Ai tha se ky nuk ishte takimi i vetëm i Hamitagës me familjarët e tij.

“Në dy takimet me sa kam kuptuar prej babait tim ka ardhë me arsyetimin me rregullu një kositëse të barit, pasi që prindi im për hobi merret edhe me mekanikë”, tha Paçarizi.

I dëmtuari Granit Paçarizi më pas tregoi se babai i tij i kishte treguar edhe për një takim tjetër ku prokurori Hamitaga kishte shprehur një hall.

“Babai im ka treguar se Bajram Hamitaga i ka thënë se e kam djalin shumë keq dhe se kam nevojë për 5,000 mijë euro, mos me pasë pasë rastin e juaj e di se ju nuk më kishit nalë por më kishit kry punë por që tash jam bllokuar e s’po mundem me ba hall”, tha ai.

Paçarizi tha se prindi i tij nuk i kishte dhënë përgjigje as pozitive as negative.

Granit Paçarizi tha se pasi u dënua nga Gjykata në Prizren për armëmbajtje pa leje dhe vendimi u bë i plotfuqishëm atij i erdhi edhe një thirrje nga Prokuroria në Prizren.

Ai tha se pasi iu përgjigj thirrjes së prokurorit Hamitaga dhe e pyeti atë nëse kishte ndonjë provë të re ndaj tij.

“Përgjigja e tij ishte e shkurtë: Nuk kam asnjë provë shtesë. Me ato prova ki me u dënu dhe shko ankohu deri te Zoti”, tha Paçarizi.

Mbrojtja e të pandehurit nuk pati pyetje për të dëmtuarin, duke u arsyetuar se ai vetëm po mundohet të shpëtojë nga aktakuza e ngritur ndaj tij.

Pasi Paçarizi në procesin gjyqësor që kishte filluar ndaj tij lidhur me akuzën e vrasjes në tentativë kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Hamitaga, kjo kërkesë ishte aprovuar.

Aktakuza ndaj Hamitagës dhe Luan Delilit u ngrit nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 26 shtator.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, i pandehuri i dytë, Luan Delili, më 8.4.2016, me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë B.H., ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.

Ky skandal është publikuar në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.