Gjykimi për aksidentin që rezultoi me lëndimin e këmbësorit - Foto: KALLXO.com
Burg për Lëndimin e Këmbësorit me Automjet
Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon Reshat Mehën se në shtator të vitit 2014 në Mitrovicë nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik, jetën e njerëzve dhe pasurinë e të tjerëve ashtu që duke drejtuar automjetin dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës ka goditur një person.
Tutje, sipas aktakuzës, i njëjti kishte goditur këmbësorin Flamur Kadriun, i cili në ato momente kishte qenë duke e kaluar rrugën.
Si pasojë e këtij aksidenti i njëjti kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këtë i akuzuari kishte kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik.
Paraprakisht, gjatë seancës së shqyrtimit fillestar të mbajtur në këtë Gjykatë, i akuzuari Reshat Meha ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur keqardhjen lidhur me aksidentin që kishte ndodhur.
I pranishëm në Gjykatë ishte edhe i dëmtuari Flamur Kadriu, i cili tregoi se tani ishte mirë me shëndet dhe se me të pandehurin kishte marrëdhënie të mira.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besart Kadriu kërkoi nga Gjykata që të merren parasysh rrethanat lehtësuese duke përfshirë edhe pranimin e fajësisë nga i pandehuri me rastin e marrjes së vendimit për të mbrojturin e tij.
Lidhur më këtë rast gjyqtari Bekim Veliqi ka shpallur aktgjykim përmes të cilit Reshat Mehën e dënoi më gjatë muaj burgim.
Veliqi po ashtu njoftoi të pandehurin dhe mbrojtësin e tij se këtë dënim mund ta zëvendësojë me dënim me gjobë në vlerë prej 1.500 euro.
Lidhur me këtë kanë shprehur gatishmëri i akuzuari Meha si dhe mbrojtësi i tij, ndërsa gjyqtari Veliqi e njoftoi të akuzuarin se në rast të mospagesës do të ekzekutohet dënimi me burgim.