Foto: Kallxo.com

Behgjet Pacolli: Demarkacioni S’ka Gjasë të Rinegociohet

Përderisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po pret rezultatet e një komisioni të ri për vlerësimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi për të ndërmarrë veprime tjera në marrëveshjen që e ka kundërshtuar tash e sa vjet, zëvendësi i tij i parë, Behgjet Pacolli, është shprehur sot se kjo marrëveshje nuk ka gjasë të rinegociohet nga pala malazeze.

Pacolli i ka transmetuar sot anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme qëndrimin e palës malazeze pas vizitës që pati në Podgoricë dy javë më parë.

“Na kanë thënë që krejt koha që ju duhet jua japim, ju presim, por për ne është çështje e mbyllun. Çdo pretendim që të diskutohet me ta për rinegociim është praktikisht humbje kohe, kjo më është thënë atje”, tha Pacolli.

Në një situatë të tillë, Pacolli tha se duhet të priten rezultatet e vlerësimit të komisionit të ri të emëruar nga Haradinaj për të vendosur për hapat e ardhshëm “pa përçarje të brendshme”.

“Në rast se nuk ka fakte të forta, do të jetë shumë vështirë që ne para secilës instancë a organizatë ndërkombëtare ta mbrojmë këtë ide”, tha Pacolli.