Pamje nga konferenca rreth rolit të arsimit të lartë në shoqëritë demokratike - Foto: KALLXO.com

Bajrami: Nga Edukimi Varet Përparimi i Përgjithshëm i Vendit

Ngritja e cilësisë së arsimit të lartë është një ndër sfidat nga të cilat varet edhe e ardhmja e vendit, u tha në konferencën regjionale “Roli i arsimit të lartë në shoqëritë demokratike”.

Me këtë rast, ministri në detyrë i Arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se ndërtimi i universiteteve cilësore dhe kredibile ka qenë një sfidë afatgjate prej së cilës është varur edhe e ardhmja e vendit.

NDËRLIDHUR

“Ndërtimi i arsimit të lartë cilësor me kompetenca është një çështje e suksesit në shoqëritë kosovare dhe pa dyshim se sfida e ndërtimit të universiteteve cilësore, universiteteve kredibile ka qenë një sfidë afatgjate nga e cila do të varet e ardhmja e vendit tonë”, ka thënë Bajrami.

Ministri Bajrami po ashtu tha se edukimi duhet të jetë prioritet sepse nga kjo varet përparimi i përgjithshëm i vendit.

“Më lejoni të bëj ftesë nga kjo konferencë që të kemi një ndërgjegjësim kombëtar që edukimin ta vendosim si prioritet numër një, para ekonomisë sepse kemi më shumë se gjysmën e popullsisë të rinj dhe të kesh një edukim cilësor duhet të kesh një zhvillim ekonomik, një shoqëri demokratike  dhe do të kesh një përparim të përgjithshëm”, shtoi ai.

Bajrami më tutje shtoi se në këtë konferencë do të ofrohet mundësi e shkëmbimit të përvojave me Universitetin James Madison nga Amerika.

“Ne kemi mundësi t’i shohim këto përvoja amerikane, ta shohim rrugën që duhet të bëjmë dhe të krijojmë hapin e duhur dhe të krijojmë një arsim cilësor, një arsim konkurrent dhe një arsim i cili do të jetë një promotor i zhvillimit ekonomik”, tha ministri Bajrami.

Më tutje, Arsim Bajrami tha se si sfidë është mënyra se si të ngritet cilësia e universiteteve dhe kolegjeve private, si të orientohet arsimi i lartë drejt nevojave të tregut të punës si dhe financimi i universiteteve ku ato duhet të krijojnë partneritet me komunitetin e biznesit në mënyrë që të krijojë të hyra.

Ndërsa Jonathan R. Alger, rektor i Universitetit James Madison ka thënë se Kosova me një popullsi të re ka mundësi shumë të mira që të fokusohet në edukim dhe arsimim strategjik.

Ai po ashtu ka folur edhe për qëllimet e Universitetit James Madison.

“Universiteti James Madison është hapur në vitin 1908 dhe ne ende e konsiderojmë veten si universitet të ri në shumë mënyra. Ne kemi një model të ri, kemi një  qëllim të ri që të bëhemi një universitet model me të  qenit të angazhuar me ide të reja dhe të angazhuar me pjesën tjetër të botës. Ne besojmë se studentët tanë duhet të mësojnë nëpër klasë dhe salla të universitetit por duhet që të jenë në gjendje që ta aplikojnë atë që kanë mësuar në botën jashtë këtyre ambienteve”, ka thënë rektori Alger.

Një konferencë e tillë do të organizohet nesër në qytetin e Gjakovës e pastaj edhe në atë të Prizrenit.

19 Qershor 2017 - 14:32

Vjollca Duraku 19/06/2017 - 14:32
NDËRVEPRIMI27

Bajrami: Nga Edukimi Varet Përparimi i Përgjithshëm i Vendit

by Kallxo
NA NDIQNI