Avokatët e Prokurorja Përplasen në Rastin Badovci

Avokatët e pesë të akuzuarve të rastit “Badovci” dhanë argumentet e tyre përmbyllëse duke u shprehur të bindur se të mbrojturit e tyre janë të pafajshëm.

Në gjykimin ku xhirimi i kamerës së KALLXO.com pa asnjë arsyetim u lejua për vetëm një minutë, avokatët dhe të akuzuarit patën disa polemika me prokuroren Drita Hajdari.

Pasi avokatët mbrojtës dhanë fjalën e tyre përfundimtare, prokurorja Drita Hajdari tha se shpreson që avokatët të kenë të drejtë me mbrojtjen e tyre dhe të mos pendohen më pas.

Kësaj iu përgjigj avokati Bajram Tmava që tha se në 46 vjet të përvojës së tij asnjëherë nuk është penduar, sepse kurrë nuk ka punuar me standarde të dyfishta dhe me supozime e hamendësime.

Dyshime në punën e prokurores Hajdari hodhi edhe i akuzuari, Fehmi Musa i cili tha se prokurorja është e bindur që ai është i pafajshëm, por po vazhdon të përdor standarde.

Prokurorja reagoi duke thënë se është e bindur në fajësinë e Musës, prandaj është aty ku është.

Por prokurorja nuk pati asnjë përgjigje kur Musa i tha ku është Betim Brahimaj i cili ishte intervistuar dy herë lidhur me këtë rast.

Pas përfundimit të seancës, Avokati Asdren Hoxha tha se aktakuza e prokurores me cilësimin që i është bërë ka humbur qëndrueshmërinë.

“Cilësimi juridik i aktakuzës i ndryshuar në fjalën përfundimtare të prokurores e ka bërë të paqëndrueshme aktakuzën duke e hequr nenin 135, paragrafin 1 dhe nën paragrafët nga 1-19, të cilët janë baza e çfarëdo përgatitjeje të veprave penale terroriste, apo kundër rendit kushtetues të Kosovës”, tha Hoxha.

Edhe Albana Kelmendi, avokatja e të akuzuarit Besnik Latifi, tha se tanimë në rast nuk ka vepër penale dhe pret lirimin e të akuzuarve.

“Ne konsiderojmë që se nuk kemi të bëjmë më me vepra penale për arsye se mungon vepra bazë nga neni 144 lidhur me nenin 135 kështu që ne konsiderojmë se më nuk kemi vepër penale dhe presim që gjykata t’i vlerësojë drejt pretendimet tona dhe si rrjedhojë të nxjerrë aktgjykim lirues”, tha Kelmendi.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi.

Në korrik të vitit të kaluar Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

Gjykata Supreme pastaj Rastin Badovci e ktheu në rigjykim.

Supremja gjeti shkelje esenciale të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës në vendimin e themelores dhe vërtetimin e këtij vendimi nga Apeli.

Sipas aktakuzës, Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi, në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.