Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi Foto: Facebook

Autoriteti i Konkurrencës Paralajmëron Publikimin e Monopoleve

Në javët në vijim do të bëhet publikimi i monopoleve në nivel të vendit.

Këtë e ka bërë të ditur, Valon Prestreshi, kryetari i Bordit të Autoritetit të Konkurrencës.

Në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Prestreshi ka bërë të ditur se janë miratuar edhe një numër udhëzimesh administrative, të cilat janë pjesë e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

“Sot në mbledhjen maratonike të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës u aprovuan 5 udhëzime Administrative. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës përmbylli detyrën e tij që rrjedh nga MSA-ja dhe Agjenda për Reforma Evropiane”, ka shkruar Prestreshi.

Sipas tij, këto udhëzime janë për përjashtimet grupore – marrëveshjet horizontale, për përjashtimet grupore- marrëveshjet vertikale, përjashtimin grupor të marrëveshjeve në sektorin e sigurimeve, për përjashtimin grupor të marrëveshjeve në sektorin e transportit dhe për përjashtimin grupor të marrëveshjeve në sektorin e distribuimit dhe servisimit të mjeteve motorike.