Apeli Shqyrton Vdekjen e Biçiklistit në Gërmi

Gjykata e Apelit ka mbajtur seancë për shqyrtimin e ankesës së bërë nga prokurori dhe mbrojtësi i të akuzuarit Leutrim Doda, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor më 28 tetor 2015 dhe e kishte dënuar me 2 vjet burgim.

Leutrim Doda ishte gjetur fajtor në gjykatën e instancës së parë për aksidentin rrugor që ka ndodhur te parku i Gërmisë rreth orës 21:00 të datës 2 shtator 2015. Atë natë, pasi e kishte tejkaluar shpejtësinë me veturë e kishte goditur 25-vjeçarin Lorik Restelica, i cili po udhëtonte me biçikletë. Si pasojë e plagëve të marra, Loriku kishte mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes.

Prokuroria, por edhe avokati i të akuzuarit, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi, ndonëse me pretendime të kundërta.

Kërkesën e Prokurorisë për rritjen e dënimit ndaj të akuzuarit e ka mbështetur edhe avokati i familjes së dëmtuar.

Leutrim Doda para gjykatës e ka pranuar fajësinë dhe është shprehur se është shumë i penduar me veprimin e tij. Madje, ai kishte deklaruar se do të kishte dëshirë që edhe ai të kishte mbetur i vdekur aty. Kërkimfalja dhe pendesa janë marrë si rrethana lehtësuese nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore.

Përfaqësuesi i familjes së dëmtuar, Xhavit Krasniqi, e mbështeti ankesën e Prokurorisë për ta ashpërsuar dënimin, duke e përmendur se familja e dëmtuar ka mbetur pa djalin e vetëm dhe se pas këtij rasti ajo është detyruar ta ndërrojë vendbanimin, ndërsa i akuzuari do t’i kthehet prapë familjes së tij.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, Ramiz Krasniqi, kërkoi që të ulet dënimi sepse Doda e ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur pendim të thellë.

Ai e arsyetoi kërkesën e tij për ulje të dënimit duke u bazuar në praktikën gjyqësore në Kosovë për dënimet më të ulëta të cilat jepen për aksidentet në komunikacion që sipas tij janë më të ulëta.

Vendimi i Gjykatës së Apelit për këtë rast do t’u dorëzohet palëve në formë të shkruar.