Ankesa për Çerdhen që Akuzohet se Josh Rrejshëm

Në KALLXO.com ka ardhur një raport ku thuhet se reklama e çerdhes “Eda” i tërheq konsumatorët përderisa nuk ka asnjë lloj partneriteti me Drejtorinë Komunale të Arsimit.

Islam Shabani, drejtor i Arsimit në Fushë-Kosovë  thotë për KALLXO.com se komuna nuk ka ofruar kurrfarë ndihme financiare mirëpo ka memorandum bashkëpunimi të cilin mund ta ketë me cilëndo çerdhe të interesuar.

“Komuna ka një marrëveshje mirëkuptimi me Çerdhen “Eda “ në Fushë-Kosovë , por kjo nuk nënkupton subvencionimin dhe kurrfarë ndihme financiare . Në këtë kuptim, kjo çerdhe mund të thirret në partneritet me Komunën dhe kjo vlen edhe për të gjitha çerdhet tjera që duan bashkëpunim me komunën tonë,“ është përgjigjur Shabani.

Edhe drejtoresha e çerdhes “Eda”, Lule Abazi, konstaton se mbështetja është më shumë morale, ndërsa bashkëpunimi nuk nënkupton ndihmë financiare, por vetëm udhëzim të punës ngjashëm me çerdhet publike.

“Nuk kemi kurrfarë financimi nga komuna, thjesht kam pasur dëshirë të kem mbikëqyrje dhe i kemi rregullat, kontratat të gjitha si çerdhja e shtetit,” tha Abazi.

Në nenin 7 të Ligjit për Partneritet Publiko-Privat ky partneritet ndërtohet nëse partneri privat ofron një shërbim ose infrastrukturë publike në emër të autoritetit publik.

Reklama e çerdhes “Eda” po u duket e padrejtë çerdheve të tjera private në këtë zonë që po e konsiderojnë tërheqje të klientëve me pretendime të rrejshme.

Përderisa në çerdhen “A&Z” thanë se në fillim i janë larguar disa klientë për shkak të kësaj reklame, në çerdhen  “Kopshti i Ëndrrave” thonë se nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga komuna kur u janë drejtuar me shkrim për këtë problem.

Sadete Gërbeshi, drejtoreshë e çerdhes “Kopshti i ëndrrave” thotë se partneriteti do duhej të bëhej me të gjitha çerdhet, pasi që nuk është përcaktuar ndonjë kriter për partneritet.

“Nuk mund të themi që ka ndikuar drejtpërsëdrejti me klientët që i kemi tani, mirëpo mund të ndikojë në klientët që mund t’i kishim në të ardhmen. Dhe nëse ekziston partneriteti mes komunës dhe kësaj çerdheje, nuk është në rregull të ketë këso lloj ndasish nëpër çerdhe,” vlerëson Gërbeshi.

Akuzat e çerdheve në Fushë-Kosovë konfirmohen edhe nga organizata “ Konsumatori”.

Seladin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori” thotë se në këtë rast është bërë mashtrimi i konsumatorëve dhe është prishur tregu i lirë.

“Mund të cilësohet si reklamë ose deklarim mashtrues për përfitimin e klientëve dhe në këtë mënyrë e prish tregun dhe konkurrencën e lirë,” deklaron Kaçaniku.