Gjykimi i studentëve

I Akuzuari: Prokurori më Bëri me Bashkëshorte

Në gjykimin e 12 personave, kryesisht studentë, të cilët akuzohen lidhur me dhënien dhe marrjen e ryshfetit për pranim dhe kryerje të provimeve në Universitetin e Prishtinës, të akuzuarit patën ankesa rreth gabimeve në fjalën përfundimtare të prokurorit dhe në aktakuzë.

“Gjatë leximit të fjalës përfundimtare të prokurorit (e përpiluar nga prokurori Ibrahim Berisha) kam vërejtë disa gabime ku në një vend është shënuar se Amonda Orllati është bashkëshortja ime. Kërkoi nga trupi gjykues që t’i përmirësoj gabimet”, tha i akuzuari Leonard Bytyqi.

Prokuroria pretendon se Leonard Bytyqi ka marrë ryshfet nga Orllati për regjistrimin e saj në fakultet, e më pas ia ka dorëzuar paratë të akuzuarit Esat Belaj.

E avokatja e të akuzuarës Orllati, Bahrje Xhyliqi, tha se klientja e saj është “e dëmtuar materialisht e moralisht”.

Akuza më të rënda kundrejt prokurorit bëri i akuzuari Kushtrim Morina.

“Du me ditë ku janë peshqit e mdhaj në këtë rast rektori, i cili ushtron detyrë në UP, komisioni për ankesë dhe parashtresa, prodekanat dhe neve që po na akuzojnë këtu e i kam mbajt 4 muaj paraburgim dhe 2 muaj arrest shtëpiak me akuzën për marrje ryshfeti dhe si është e mundur që të akuzohet një student për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Kushtrim Morina.

Edhe Morina akuzoi prokurorin se ia gaboi mbiemrin në fjalën përfundimtare.

“Dua të lidhem të fjala përfundimtare e prokurorit që unë mendoj që as nuk din me lexu e shkruajtë mirë, sepse Kushtrim Hoti ma ka shkrujtë, e unë e kam Kushtrim Morina”, tha i akuzuari Morina.

Ndërsa, avokati i të akuzuarit Kushtrim Morina, Asdren Hoxha, theksoi se i mbrojturi i tij akuzohet për një pikë abstrakte të aktakuzës.

“Prokuroria nuk qe e aftë që të arguentojë para jush se cili kandidat, në cilin fakultet, në cilin vit, qenka regjistruar me ndihmën e Kushtrim Morinës. Të nxjerret aktgjykim lirues për këtë pikë abstrakte”, tha Hoxha.

Përveç kësaj, avokatët mbrojtës së bashku me të akuzuarit patën ankesa rreth përcaktimit të pozitës së tyre, pasi që të akuzuarit nuk kishin qenë persona zyrtarë në kohën kur akuzohen për kryerjen e veprës penale.

“Të ketë kujdes tek pozita ime sepse në kohën e përpilimit të aktakuzës unë kam qenë student i thjeshtë dhe me atë pozitë të asistentit, kam shkuar në paraburgim, e unë në fakt as nuk kam qenë i diplomuar. Po ashtu Albion Haxhijaha në atë kohë ka qenë student e është vlerësuar si specialist. Pres aktgjykim lirues nga gjykata sepse jam shterru”, tha Leonard Bytyqi.

Po ashtu, i akuzuari Gazmend Maliqaj theksoi se nuk ka qenë asnjëherë themelues i organizatës “Reforma” dhe asnjëherë kryetar i OJQ- së, fakt ky i cili prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë ndonjëherë.

Më tej, i akuzuari Maliqi theksoi se ka pasur presion nga zyrtarët policorë gjatë dhënies së deklaratës.

“Unë që nga fillimi nuk kam pranuar fajësinë time ngase nuk e ndiej veten fajtor për veprën penale për të cilën ngarkohem, po ashtu asnjëherë nuk është saktësuar pozita ime ngase unë asnjëherë nuk kam qenë person zyrtar. Duke marrë parasysh presionet e shumta nga zyrtarët policorë asnjëherë nuk kam qenë i pajtimit nga mënyra e marrjes së deklaratave nga ana e tyre, si përfundim kërkoj që të marrë aktgjykim lirues”, tha Muhamed Maliqi.

Ankesa tjetër ndaj përpilimit të aktakuzës erdhi nga i akuzuari Arian Janova.

“Të mos lejoni precedent siç ka krijuar prokuroria dhe policia, që nga viti 2013 që përballemi me këtë aktakuzë, më shumë se 10 prokurorë kanë hy, qetu i kam dëgju 2 prokurorë që kanë thënë ‘nuk e di qysh kemi me mbrojt këtë aktakuzë’”, tha Janova.

Sipas aktakuzës, Esat Belaj ngarkohet se nga 9 shtatori 2012 deri më 16 shtator 2012 si student senator, duke shfrytëzuar ndihmën e të pandehurve Leonard Bytyqi dhe Albion Haxhijaha kërkoi në mënyrë të tërthortë dhe pranoi shumën e parave në vlerë prej 4,500 eurove.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtë shumë e kishte dhënë Amonda Orllati, po ashtu e akuzuar në këtë proces gjyqësor, me qëllim që të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë.

Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevludin Beqiri akuzohen se kanë kërkuar e në disa raste kanë pranuar dhurata të ndryshme në para në shuma 150, 200, 350, 400 e deri në 1,400 euro.

Pjesë e këtij procesi janë edhe Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, ndërsa Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi akuzohen për ndihmë lidhur me marrje të ryshfetit.

Amonda Orllati dhe Shaqir Reçica akuzohen për dhënie të ryshfetit.

Rajan Zeneli, që akuzohej për ndihmë lidhur me ushtrim të ndikimit, është liruar nga akuza pasi që vepra për të cilën akuzohej ka arritur vjetrimin.

Disa nga të akuzuarit ngarkoheshin edhe me veprën penale të ushtrimit të ndikimit por që në seancën e 10 marsit të këtij procesi gjyqësor prokurori Ibrahim Berisha konstatoi se është vjetërsuar kjo vepër.

Këtë vjetërsim pastaj e pranoi edhe gjykata, duke hedhur poshtë pikat e aktakuzës që lidheshin me ushtrim ndikimi.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/mbrohen-ne-heshtje-studentet-e-akuzuar-per-ryshfet/

http://kallxo.com/akuzuari-asnjehere-nuk-hyra-ne-provim-ne-vend-te-tjeterkujt/

http://kallxo.com/sms-qe-flasin-per-provime-e-para-ne-gjykimin-e-studenteve/

http://kallxo.com/vjetersohet-nje-pjese-e-aktakuzes-ne-gjykimin-per-ryshfet/