Foto-ilustrim: Policia e Kosovës

Aksion në Shtatë Lokacione Kundër Kontrabandës

Policia e Kosovës njoftoi se asistoi sot në një aksion që dogana e ndërmori kundër kontrabandës me mallra.

Operacioni sipas policisë nisi në rajonin e Mitrovicës për t’u zgjeruar më pas edhe në vende tjera.

“Operacioni policor i filluar në rajonin e Mitrovicës është zgjeruar edhe në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, gjegjësisht në 7 (shtatë) lokacione të ndryshme”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia njoftoi se si shkoi aksioni në të cilin nuk u arrestua askush.

“Gjatë operacionit policor janë kontrolluar katër shtëpi banimi si dhe objektet përcjellëse të tre personave të dyshuar si dhe tri subjekte afariste. Në këtë operacion policor nuk është arrestuar asnjë person”, shpjegon komunikata.

Policia në komunikatë tregoi edhe për gjërat që u sekuestruan për t’u përdorur si dëshmi të mundshme.

“Gjatë operacionit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: një telefon celular, tri sim- kartela dhe disa dokumentacione të ndryshme që mund të shërbejë në procedura të mëtejme. Po ashtu është gjetur dhe konfiskuar edhe mall i padeklaruar”, thuhet në komunikatë.

Policia bën me dije se operacioni u zhvillua nga Dogana e Kosovës, ndërsa atë e ndihmuan Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), Administrata Tatimore e Kosovës, Njësia Speciale Operative (NJSO-ja) dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë.

KALLXO.com shkroi edhe për aksione tjera të doganës kundër kontrabandës me mallra.

http://kallxo.com/dogana-zbulon-nafte-te-fshehur-ne-rezervuare/

http://kallxo.com/dogana-konfiskon-10-mije-litra-nafte/