Autobusi i dëmtuar | Foto: Facebook

Ahmeti: Na e Thyen Edhe Një Autobus

Në një postim në Facebook Shpend Ahmeti që po konkurron edhe për një mandat në krye të Prishtinës, ka bërë të ditur se është dëmtuar një autobus i ri i Trafikut Urban.

“Sot, na e thyen edhe një autobus”, ka shkruar Ahmeti.

Ai më tutje ka renditur edhe dëmtime tjera që u janë bërë investimeve të komunës në Prishtinë

“Vetëm ne muajin e fundit janë thyer semaforat me çekan (për me bo tollovi), janë dëmtuar shtëpia për të moshuarit dhe parku Bllok Pas Blloku (per t’u mos u promovuar), janë këputur kabllot e ndriçimit (për me bo propagandë), i kanë lënë kontejnerët pa pastru e janë lëshu kamionat e mbeturinave në ora 16:00 (me bo tollovi) dhe kanë shpif te grupe të ndryshme”, shkroi më tutje Ahmeti.

Por Ahmeti ka konstatuar më tutje se këto dëmtime nuk do ta ndalojnë punën e tij.

“Kot e kanë. Prishtina do të ecë përpara. Sabotimet kanë përfundu me 22 tetor me rezultatet për asamble. Në Prishtinë nuk ka vend për krim”, ka shkruar Ahmeti.

Një autobus i ri i Trafikut urban ishte dëmtuar edhe më 18 shkurt të këtij viti.