Zyrtarët e lartë të PDK-së me aktakuza që u shkarkuan nga Kadri Veseli

Të dielën, Partia Demokratike e Kosovës rizgjodhi Kadri Veselin si kryetar dhe po ashtu zgjodhi edhe Këshillin Drejtues të saj.

Por, pas tre ditësh, kreu i PDK-së doli me një vendim të ri. Të gjithë zyrtarët e partisë që kanë pozita në institucione publike dhe brenda në parti, të mërkurën Veseli i liroi nga detyra.

Kësisoj, disa prej figurave kyçe të PDK-së më nuk do të jenë në strukturat e kësaj partie dhe pozita të tjera publike.

Ish- deputeti i PDK-së, Adem Grabovci mori 323 vota në zgjedhjet e brendshme, por ai nuk do ta gëzojë gjatë pozitën që fitoi në Këshillin Drejtues të partisë.

Vota shumë mori edhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku – 364 vota. Por për shkak të aktakuzës ai është liruar nga dy pozita brenda partisë, nga kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj dhe nga Këshilli Drejtues i kësaj partie.

Edhe Agim Çeku nuk mund të jetë më zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai në kuvendin zgjedhor të PDK-së mori 336 vota si anëtar i Këshillit Drejtues.

Se do ta lirojë pozitën e tij në Ministri, Çeku e konfirmoi vetë për KALLXO.com.

Kryetari i degës në Klinë dhe anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Sokol Bashota ka marrë 355 vota. Ai pritet të mos i mbajë këto dy pozita brenda partisë.

Zenun Pajaziti është zyrtari tjetër nga PDK i cili është akuzuar në rastin “Pronto” e cili është shkarkuar nga vendimi i Kadri Veselit.

Ai në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së të dielën mori 322 vota.

Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Qemajl Mustafa në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së mori 351 vota. Ai pritet ta lirojë pozitën nga kryetari i PDK-së në Gjilan pas vendimit të sotëm të Veselit.

Pozitën e ministrit pritet ta lirojë edhe një zyrtar tjetër nga PDK-ja.

Besim Beqaj, aktualisht ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është i akuzuar në rastin “Pronto” me disa anëtarë të tjerë nga PDK. Ai nuk është pjesë e Këshillit Drejtues të partisë.

Pozitën e këshilltarit të Kadri Veselit dhe anëtarit të Këshillit Drejtues të PDK-së nuk do të mund ta mbajë as Njazi Kryeziu. Këtë ai e ka konfirmuar vetë për KALLXO.com.

“Muajin e kaluar kur ka dalë Ambasada Amerikane me një deklaratë, për shqetësimet e njerëzve që kanë aktakuza e që janë nëpër pozita publike, unë ia kam dërguar kërkesën për dorëheqje të parevokueshme. I kam thënë se ne duhet të reflektojmë për “Dekadën e re”. Dorëheqja ime ka qenë në pritje të vendimit të Kadri Veselit”, ka thënë ai.

Kryeziu ka marrë 269 vota në Këshillin Drejtues të PDK-së.

https://kallxo.com/vendimi-i-apelit-adem-grabovci-dhe-te-tjeret-do-te-gjykohen-per-rastin-pronto/

www.kallxo.com