Sami Lushtaku | Foto: Atdhe Mulla

Edhe Dy Aktakuza Rëndojnë mbi Sami Lushtakun

Ndonëse Sami Lushtaku doli i pafajshëm në betejën e tij shumëvjeçare me akuzën për krime të luftës, nuk i ka përmbyllur ende punët e tij me drejtësinë.

Mbi Lushtakun e porsaliruar rëndojnë edhe dy aktakuza për vepra të ndryshme penale.

Aktakuza e parë e rastit të njohur si KEK2 e ngarkon Lushtakun për veprën penale të shtytjes në keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa aktakuza tjetër ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja në kohën sa Lushtaku ndodhej në paraburgim në Rastin “Drenica”.

Vendimi i datës 3 korrik 2017 i një trupi gjykues të Gjykatës Supreme të Kosovës me përbërje shumicë  të gjyqtarëve të EULEX-it, e liroi Sami Lushtakun nga aktakuza e 8 nëntorit 2013 që e rëndonte për tri pika të akuzës, por kjo nuk do të thotë që Lushtaku nuk do të shkojë më në Pallatin e Drejtësisë në dy procese të ndara gjyqësore.

Aktakuza e tetorit të vitit 2016 e akuzon Sami Lushtakun dhe 23 persona të tjerë për vepra të ndryshme penale,  ndërsa në mesin e të akuzuarve ka oficerë të shërbimit korrektues, mjekë e familjarë të të akuzuarve të rastit Drenica.

Lushtaku nga aktakuza e prokurorit Romulo Mateus ngarkohet për arratisje të personit të privuar nga liria. Bashkë me Lushtakun në këtë pikë të aktakuzës akuzohen edhe Ismet Haxha dhe Sahit Jashari, ndërsa kjo vepër është e dënueshme me burgim deri në 3 vjet.

Po sipas kësaj pike të aktakuzës, Lushtaku së bashku me Rrustem Rrukollin, Rexhep Xhotën dhe Fatmir Mjakun akuzohen për pengim të të provuarit apo procedurës zyrtare.

Përpos këtyre pikave të akuzës, mbi Lushtakun rëndojnë edhe dy pika të tjera.

Lushtaku së bashku me Skender Tahirin, Sheremet Jasharin, Ismet Haxhën dhe Bajram Dibranin akuzohen për pengim të të provuarit apo procedurës zyrtare. Pika tjetër dhe juridikisht më e rënda që e akuzon Lushtakun është pika për krim të organizuar.

Sipas kësaj pike, Lushtaku së bashku me Ismet Haxhën, Rrustem Rrukollin, Rexhep Xhotën, Fatmir Mjakun, Skender Tahirin, Sheremet Jasharin dhe Bajram Dibranin akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal e që sipas Kodit Penale të Kosovës kjo vepër është e dënueshme deri në 10 vjet.

Lidhur me këtë rast ende nuk është mbajtur seanca fillestare, ndonëse aktakuza është ngritur para afër 8 muajsh.

http://kallxo.com/aktakuze-gjigante-per-arratisjen-e-sami-lushtakut/

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me ecurinë e kësaj aktakuze.

Lushtaku së bashku me Arben Gjukajn, Driton Pruthin, Milazim Lushtakun, Esat Tahirin dhe Azem Durakun akuzohen në rastin e njohur si “KEK 2”.

Ky rast lidhet me tenderin për sigurim fizik të objekteve të KEK-ut.

http://kallxo.com/tenderi-kek-ut-deshmon-zyrtari-prokurimit/

Ky proces gjyqësor fillimisht është gjykuar nga gjyqtarët e EULEX-it, ndërsa tani është transferuar te gjyqtarët vendorë nga të cilët nuk është mbajtur asnjë seancë.

KALLXO.com lidhur me këto raste gjyqësore i ka dërguar pyetje edhe avokatit të Lushtakut Arianit Koci, i cili nuk është përgjigjur me arsyetimin se është i angazhuar në një proces gjyqësor.