Zenun Pajaziti, shef i GP të PDk. Foto: Atdhe Mulla

Të përjashtuarit e Veselit: A do të vazhdojë Zenun Pajaziti të jetë deputet i PDK-së?

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti është në mesin e zyrtarëve të cilët kanë aktakuzë për rastin e mirënjohur “Pronto”.

Por a do të vazhdojë ta mbajë postin e deputetit Zenun Pajaziti, pasi që shefi i tij i partisë, Kadri Veseli të mërkurën ka marr vendim që të largojë nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

Në një konferencë për media, Veseli  bëri të ditur se sot i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në prill të 2018-ës ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.

Ndërkaq, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit në rastin “Pronto” akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Kallxo ka tentuar ta kontaktoj Zenun Pajazitin por nuk ka qene i qasëshëm.