Foto: Atdhe Mulla

Zyra e BE-së tregon parakushtet për financimin e Sallës Koncertale

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë thotë se Salla Koncertale duhet të ndërtohet në një lokacion lehtësisht i qasshëm. Por, lokacioni është vetëm njëri prej kushteve që ka vendosur BE-ja si kushte për financimin e ndërtimit të Sallës Koncertale.

Në një prononcim për KALLXO.com, Zyra e BE-së thotë se të gjitha projektet që financohen nga fondet e BE-së duhet t’i përmbushin disa parakushte për të siguruar menaxhim të duhur financiar dhe përputhshmëri me rregullat e aplikueshme

“Sa u përket projekteve infrastrukturore, duhet të identifikohen parcelat të përshtatshme dhe me pronësi të pakontestueshme, të përgatitet një studimi i fizibilitetit dhe të ketë lejet administrative duke përfshirë vlerësimin e ndikimit mjedisor, në rastet kur kjo aplikohet”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së për KALLXO.com.

Këto parakushte janë edhe për sallën koncertale.

“Ne kemi kërkuar nga komuna e Prishtinës që të dërgojë një propozim për lokacionin që i përmbush kriteret e përmendura më lart dhe që është i përshtatshëm për qëllimet e kompleksit në fjalë. Një kompleks i kësaj rëndësie meriton një pikë referimi, lokacion lehtë të qasshëm, që lejon përdorimin e papenguar të kompleksit për qëllimet e parapara”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Zyra e BE-ës thotë se do të financojnë ndërtimin e sallës vetëm atëherë kur të identifikohet një lokacion i përshtatshëm.

“Kur dhe nëse identifikohet një lokacion i tillë i përshtatshëm, aktiviteti mund të merret në konsideratë për përkrahje financiar nga Pakoja e Asistencës së Para-Anëtarësimit të BE-së (IPA II) e që  përsëri varet nga vendimi final i Komitetit të IPA – Komitet ky i përbërë nga përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Zyra e BE-së tha se e inkuraon një debat për këtë çështje në Prishtinë, pasi vetëm ashtu mund të vijë deri te një lokacion i përshtatshëm.

“Është e zakonshme që çështjet që kanë të bëjnë me planifikimin urban të jenë në qendër të debatit publik dhe ne inkurajojmë një debat të tillë edhe në Prishtinë. Ne shpresojmë që kjo do të rezultojë me identifikimin e një lokacioni të përshtatshëm për atë që do të mund të bëhej një pikë e re referimi në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim në Facebook ka thënë se Komisioni Europian ka shprehur interesim për financimin e ndërtimit të sallës koncertale me kushti që lokacioni të jetë në qendër të qytetit.

“Komisioni Evropian ka shfaqur interesim për të investuar 15.4 milion euro, me kushtin që salla të jetë në një lokacion qendror. Nuk ka insistuar në ndonjë vend të saktësuar, por ka shprehur kundërshtimin për periferi dhe për lokacion që do të ishte afër stadiumit”, thuhet në shpjegimin e bërë nga Ahmeti.

Propozimi fillestar është dhënë që salla koncertale të ndërtohet në vendin e ndërtesës së ish-Gërmis, përballë ndërtesës së qeverisë së Kosovës. Në këtë objekt prej vitesh është e vendosur Administrata Tatimore e Kosovës.