Debat Pernime për Pejën. Foto: Atdhe Mulla

Si të Pastrohet Peja?

Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ironizoi me fotografitë që iu paraqitën në ekran në debatin i cili është duke u mbajtur në Pejë, duke thënë se është lehtë të fotografosh mbeturina.

“Pjesën më të madhe të mbeturinave i kemi mbledh, është kollaj me i gjet disa mbeturina me i fotografu po është shtirë me i mbledh ato”, tha Muhaxheri.

Sipas kandidatit të NISMA-s, Sali Kelmendi, duhet të forcohen kompanitë e pastrimit.

“Ka mundësi të ndryshme nga ato investimet e huaja. Ata nuk investojnë këtu pasi që ata që e drejtojnë Pejën kanë konflikt me ligjin. Duhet të forcojmë kompanitë. Të gjitha këto dojnë një riparim dhe kontroll rigoroz pasi që në Pejë kemi anarki”, tha Kelmendi.

Sabiha Shala nga Partia Demokratike e Kosovës tha se 6 muajt e parë do të kenë një Pejë të pastër e pa mbeturina.

“Nëse ne flasim për investitor të huaj duhet ta kemi Pejën e pasur. Në mandatin tonë 6 muajt e parë do të pastrojmë Pejën. Po ashtu do të krijojmë ndërmarrje për riciklimin e mbeturinave”, tha Shala.

Fatmir Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,  tha se do të ndryshohen kontejnerët e mbeturinave.

“Kanë qenë pak dhe tash janë heq janë bo edhe ma pak, në programin tonë do të ndryshojmë të gjithë kontejnerët po ashtu do të blejmë edhe makinerinë e re për mbeturina. Besoj që në dy vitet e para do të rregullohet kjo çështje”, tha Gashi.

Eneida Kelmendi nga partia Fjala, tha se aktivizojnë kompanitë dhe punëtorët që të punojnë më shumë.

“Duke ditur që Peja ka një ajër të pastër dhe është shumë e bezdisshme pjesa e mbeturinave ne do ti aktivizojmë punëtorët dhe do të vendosim kontejner ku ka nevojë”, tha Kelmendi.

Bashkim Nurboja nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do ta rrisin inkasimin për këtë çështje.

“Është dëmtu ndërmarrja publike ambienti. Frikona që ato 500 mijë euro donacione prapë do të shkoj në ndërmarrje private. Duhet ta rrisim inkasimin”, tha Nurboja.