KQZ njofton presidentin për rezultatet zgjedhore
Presidentit i është dërguar shkresa njoftuese e rezultateve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) sot zyrtarisht e ka njoftuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi me rezultatet zgjedhore të 6 tetorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se gjatë ditës së sotme presidentit i është dërguar shkresa njoftuese e rezultateve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar presidentin e Republikës së Kosovës Thaçi lidhur me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur me datë 6 tetor”, tha ai.
Elezi bëri të ditur se presidentit i është dërguar edhe një kopje e rezultateve të certifikuara edhe për kandidatët për deputetë që kanë marrë pjesë në zgjedhje.
“Së bashku me shkresën njoftuese Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bashkangjitur edhe një kopje të rezultateve të certifikuara. Pra, për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje”, tha ai.
Partia me më së shumti vota është Lëvizja Vetëvendosje, e dyta LDK-ja, e treta PDK, pas PDK-së vjen koalicioni AAK-PSD, dhe pas tyre Lista Serbe. Koalicioni Nisma Socialdemokrate-Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë përfundimisht bëhet pjesë e kuvendit të Kosovës.