ARKIV - Votimet në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale - Foto: Atdhe Mulla

KQZ Certifikon Rezultatet për Kryetarë Komunash, Konfirmon Fituesit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka certifikuar rezultatet për kryetarë të komunave të Prishtinës, Prizrenit, Klinës, Rahovecit dhe Ferizajt.

Në Prishtinë është konfirmuar fituesi Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes me 50.22%.

Në Prizren edhe zyrtarisht KQZ-ja e ka certifikuar si kryetar Mytaher Haskukën e Vetëvendosjes me 50.36% të votave kundër kandidatit të PDK-së, Shaqir Totaj.

Në Rahovec konfirmohet si fitues kandidati i AAK-së, Smajl Latifi me 50.7%.

Rezultatet janë certifikuar edhe për kryetar të Klinës. Kryetari i ri do të jetë kandidati i AAK-së, Zenun Elezaj, i cili ka marrë 51.62 % të votave, duke e mposhtur kryetarin aktual, Sokol Bashotën e PDK-së.

KQZ-ja e ka dhënë fjalën përfundimtare edhe për qytetin e Ferizajt, ku është konfirmuar se kryetari aktual, Muharrem Svarqa “duhet” t’ia dorëzojë mandatin Agim Aliut të PDK-së.

KQZ ka njoftuar gjithashtu se ka certifikuar Listën Përfundimtare të Votuesve për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Istogut, që do të mbahen më 17 dhjetor 2017.

Lista Përfundimtare e Votuesve brenda Komunës së Istogut përmban 49 mijë e 150 emra të votuesve.

Ndërsa numri i votuesve nga jashtë Kosovës është vetëm 85.