KQZ në pritje të afateve ligjore për certifikimin e rezultateve të 6 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i presë afatet kohore siç janë të parapara me ligjet në fuqi për të proceduar më tutje me procesin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kështu ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës nga ky institucion.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion në rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 7 nëntor. Këtu kam parasysh dy vendimet që kanë të bëjnë me përjashtim nga rezultati të një pjesë të fletëvotimeve dhe për rinumërimin e 1 472 vendvotimeve”, ka thënë Elezi.

“Në këto vendime ka këshillë juridike që lejon ankesën kundër këtyre vendimeve në Gjykatën Supreme. Prandaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i obliguar të respektojë këtë afat ligjor para se të procedojë më tutje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë ashtu siç ka bërë deri më tani, pra në përputhje me vendimet që e obligojnë KQZ-në”, ka thënë tutje ai.

Sot gjatë ditës, PZAP mori vendim pro ankesës së koalicionit NISMA-AKR-PD ndaj votave të ardhura nga Serbia.

DOKUMENT – Arsyetimi i PZAP rreth ankesës së NISMA-s

Po ashtu, ky institucion mori vendim edhe për rinumërimin e mbi 1 mijë vendvotimeve.

PZAP pranon ankesën e NISMA-AKR-PD kundër votave të Listës Serbe

www.kallxo.com