Hoti: Do ta Dyfishojmë Buxhetin për Shëndetësi

Gjatë një vizite që sot u ka bërë disa reparteve të QKUK-së, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se programi i tij parasheh dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë dhe ofrimin e barnave falas për qytetarët nëpërmes Fondit të Sigurimit.

“Pa buxhet nuk ka shëndetësi. Plani ynë parasheh dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë. Në këtë kuadër do të themelohet Fondi për Sigurim Shëndetësor, i cili përveç tjerash, do të rimbursojë barnat për qytetarët nëpërmes skemës së barnave jashtëspitalore”, ka thënë Hoti.

Ai është zotuar se do ta mbulojë me fonde 100% barnat nga lista esenciale dhe asnjë pacient nuk do të blejë më barna dhe material spitalor nga Lista esenciale e barnave.

“Prioriteti ynë do të jetë fuqizimi i diagnostikës në QKUK. Pacientët nuk do të presin më për të bërë CT ose rezonancë magnetike dhe analizat e tjera. Nuk do të tolerojmë asnjë ditë të vetme që rezonanca të mos funksionojë”, ka thënë Hoti, sipas një komunikate të LDK-së.

Ai ka shtuar se do të fuqizohen edhe shërbimet e shëndetësore shtëpiake për të moshuarit, të sëmurit nga kanceri, personat me nevoja të veçanta si dhe pacientë me sëmundje të rënda kronike.

“Ne do ta fuqizojmë shumë edhe programin parandalues shëndetësor, nëpërmes vaksinimit dhe forcimit të sistemit të parandalimit të sëmundjeve dhe do ta zbatojmë implementimin e plotë të sistemit të informimit shëndetësor, për evidentimin e çdo sëmundjeje, çdo ilaçi dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me shëndetin e popullatës”, ka thënë Hoti.

Sa i përket kushteve të punës për sektorin e shëndetësisë, Hoti është zotuar se do të bëhet modernizimi i kushteve të punës dhe do të ridefinohet sistemi i pagave të personelit shëndetësor për kompensim shtesë për ata që punojnë më shumë dhe kanë rezultate në punë.