Foto: Gent Sejdiu via Shpend Ahmeti/Facebook

Vetura godet vajzën në Prishtinë, Shpend Ahmeti paralajmëron kamera në trafik

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, denoncoi sot në mëngjes një aksident trafiku në njërën nga rrugët më të frekuentuara nga këmbësorët në kryeqytet.

Në një postim në Facebook, Ahmeti ka treguar me fotografi një veturë e cila, sipas Ahmetit, ka lënduar një vajzë, pavarësisht se rruga në të cilën ka ndodhur aksidenti nuk lejon shpejtësi të madhe të ngasjes.

“Nuk e di se çfarë shpejtësie duhet me pas kjo makinë për me e bo këtë ndeshje në Rrugën Rexhep Luci. Një vajzë është lënduar, por pengesat antiparking (kunxhat) sot kanë shpëtuar dhjetëra qytetarë (këmbësorë)”, tha Ahmeti në postimin e tij.

“Ju njoftojmë se së shpejti Komuna do të fillojë me përdorimin e kamerave për shkelje në trafik dhe dënime me postë”, tha kryetari i komunës së Prishtinës.

Policia e Kosovës konfirmoi se në këtë aksident kanë mbetur dy persona të lënduar.

“Rreth orës 09:00, ne rrugën Rexhep Luci në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident kane qenë të përfshira tri automjete.  Si pasojë e aksidentit dy persona kanë pësuar lëndime trupore, të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merren hetuesit e njësitit të trafikut”, tha Florie Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

Foto: Gent Sejdiu via Shpend Ahmeti/Facebook