Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vendimi i Gjykatës për inspektorët e ndërtimit të Komunës së Fushë Kosovës

Gjykata e Prishtinës u ka caktuar masën e detyruar për paraqitje në Polici dy inspektorëve të ndërtimit të Komunës së Fushë Kosovës si dhe investitorit të ndërmarrjes “Naki Trade”.

Prokuroria e Prishtinës kishte kërkuar arrest shtëpiak për dy inspektorët e ndërtimit dhe investitorin por Gjykata pas shqyrtimit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë, ka vendor që ndaj të lartpërmendurve të caktoj masën e paraqitjes së detyrueshme në Polici, një herë në javë për një muaj rresht.

Sipas Prokurorisë shefja e Planifikimit Urban në Komunën e Fushë Kosovës, Antigona Sahiti me qëllim të përfitimit për vete apo për personin tjetër, apo shkaktimit të dëmit në kundërshtim me ligjin e ndërtimit si dhe Udhëzimet Administrative ka tejkaluar autorizimet zyrtare gjatë trajtimit dhe lëshimit të lejes ndërtimore për investitorin “Naki Trade”, për ndërtimin e një objekti banesor në Fushë Kosovë.

Për Drejtorin e Planifikimit Urban Abdulla Prebreza, Prokuroria pretendon se lidhur me këtë objekt banesor, Prebreza ka qenë në dijeni se lejet ndërtimore janë në kundërshtim me ligjin e ndërtimit dhe Udhëzimet Administrative por me qëllim të përfitimit për vete apo për personin tjetër, apo shkaktimit të dëmit ka tejkaluar autorizimet zyrtare.

Për të dyshuarin e tretë investitorin Milazim Veliu, që është edhe pronari i kompanisë “Naki Trade” , Prokuroria pretendon se duke vepruar në shkelje të ligjit dhe në kundërshtim me parimet profesionale dhe në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit pasi është pajisur me leje ndërtimore nga Drejtoria e Planifikimit Urban në Komunën e Fushë Kosovës, i njëjti nuk i është përmbajtur lejes ndërtimore.

Sipas kërkesës për caktim të masës së sigurisë, investitori Milazim Veliu ka tejkaluar lejen ndërtimore në atë mënyrë që nga kati përdhese në pjesën e pasme të objektit ka bërë rritjen e pllakës për 101m2, po ashtu Prokuroria dyshon se Veliu e ka tejkaluar lejen ndërtimore edhe gjatë ndërtimit nga kati 1 e deri në katin e 8.

Me anë të këtyre veprimeve, Prokuroria e Prishtinës pretendon se dy inspektorët e ndërtimit kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar, ndërsa investitori dyshohet për veprën penale të punimeve ndërtimore të kundërligjshme.

Kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak e kanë kundërshtuar të dyshuarit së bashku me mbrojtësit e tyre. Me ç ‘rast gjatë seancës dëgjimore tre të dyshuarit e kishin mohuar fajësinë lidhur me veprat për të cilat dyshohen.

Ndërsa arsyen e caktimit të masës së paraqitjes së detyrueshme në Polici, Gjykata e ka bazuar në faktin se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se ekziston rreziku i fshehjes apo largimit nga Kosova.

ETIKETA

15 Prill 2019 - 17:25

Blerta Iberdemaj 15/04/2019 - 17:25
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend