Zyrtarët e Prishtinës dënohen me burg për keqpërdorim të detyrës

Ismet Haliti dhe Skender Canolli, zyrtarë të Komunës së Prishtinës, janë shpallur fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, më saktësisht për mos rrënimin e një objekti pa leje.

“Është vërtetuar pa mëdyshje se të akuzuarit kanë kryer veprën penale: keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” tha kryetarja e trupit gjykues Naime Jashanica.

Ismet Haliti u dënua me nëntë muaj burgim, ndërsa Skender Canolli u dënua me gjashtë muaj burgim. Këtë dënim Skender Canolli mund të zëvendësojë me dënim me gjobë.

Në seancat paraprake, të dy këta të akuzuar ishin deklaruar të pafajshëm.

Ndërsa të dëmtuarit u udhëzuan në kontestin e rregullt juridik civil.

Shpallja u bë një orë me vonesë me arsyetimin se kryetarja e trupit gjykues ishte në një seancë tjetër.

Prokuroria, e akuzonte  Ismet Halitin dhe Skender Canollin se gjatë vitit 2008 deri në vitin 2014 në cilësinë e personave zyrtarë nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, ashtu që nuk kanë zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje në pronën e Habib Vllasaliut.

Sipas aktakuzës kjo ka ndodhur pavarësisht faktit se i pandehuri Ismet Haliti është njoftuar në formën e shkruar nga inspektoret e ndërtimit se objekti duhet të rrënohet, mirëpo të njëjtit edhe përkundër njoftimeve nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me ç’ rast i kanë mundësuar përfitim Habib Vllasaliut nga ndërtimet pa leje nga organi kompetent.

Përplasje në mes të gjyqtares dhe prokurorit në gjykimin e zyrtarëve të Prishtinës