Gjykimi i zyrtarëve të Komunës së Prishtinës

Përplasje në mes të gjyqtares dhe prokurorit në gjykimin e zyrtarëve të Prishtinës

Ismet Haliti dhe Skender Canolli kanë dalur sot para gjykatës si të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, më saktësisht për mos rrënimin e një objekti pa leje.

Dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Gjatë seancës, pati një përplasje verbale në mes të gjyqtares Nushe Kukaj-Mekaj dhe prokurorit Rafet Halimi. Kjo për shkak të mënyrës se si prokurori i ishte drejtuar gjyqtares duke e akuzuar se po përzihet në punën e prokurorisë. Kryetarja e trupit gjykues, Naime Jashanica, më pas i tërheqi vërejtjen prokurorit.

Në këtë shqyrtim gjyqësor në cilësinë e dëshmitares u dëgjua Hamdie Mustafa.

E njëjta deklaroi se ishte ankuar për objektin e ndërtuar pa leje një ose dy metra afër banesës së tyre.

Pas ankesës së saj, ajo tha se objekti pa leje ishte rrënuar, mirëpo pas një kohe ishte ndërtuar sërish në vendin e njëjtë.

Pas dëshmitares edhe të akuzuarit, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, u deklaruan lidhur me veprën që i vihet në barrë.

Ismet Haliti i cili në vitin 2008 ishte emëruar në cilësinë e ushtruesit të detyrës të Shefit të Sektorit të Ndërtimtarisë deklaroi se “si shef i inspeksionit asnjë pikë në rregullore nuk më autorizon me dalë në terren ose me bo rrënimin e objektit.”

I njëjti, pyetjes se kush e din se cili objekt dhe cila pjesë e atij objekti duhet të rrënohet, shefi apo inspektori, u përgjigj se inspektori është përgjegjës lidhur me këtë.

I akuzuari Haliti, tha se sa ai ishte në pozitën e ekzekutuesit, objekti ishte rrënuar dhe ishte bërë i pabanueshëm.

“Pasi që është bërë rrënimi unë kam kaluar në pozitën e shefit dhe nuk jam marrë më me të se a është rrënuar apo është bërë ndërtimi” shtoi ai.

I akuzuari tjetër, Skender Canolli, i cili në fund të vitit 2008 kishte filluar punën si ekzekutues në Komunën e Prishtinës tha se nuk i kujtohet nëse ka marrë pjesë në rrenim sepse është marrë edhe me punë të sektorëve tjera.

“Kam mujt mos me qenë unë aty mirëpo kompaninë e kom siguruar” tha ai, duke shtuar se inspektori është ai që tregon se çfarë duhet rrënuar.

Gjatë seancës, kryetarja e trupit gjykues Naime Jashanica kishte tërhequr vërejtjen prokurorit të rastit Rafet Halimit për mënyrën se si i ishte drejtuar anëtares së trupit gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj “kjo nuk është punë e juaja” kur ajo po i drejtohej mbrojtjes se është dashur të ceket në dispozitiv për me e ditë rregulloren.

“Për këtë do të njoftohet edhe kryeprokurori” tha ajo.

Fjala ishte për rregulloren që kishte të bënte me kompetencat e të akuzuarit në punën e tij si zyrtar i Komunës së Prishtinës.

Prokurori tha se anëtarja e trupit gjykues po ndërhynte në punët e Prokurorit.

Trupi gjykues në këtë çështje përbëhet prej kryetares së trupit gjykues Naime Jashanica dhe dy anëtareve të trupit gjykues Vesel Ismaili dhe Nushe Kukaj-Mekaj.

Prokuroria, e akuzon  Ismet Halitin dhe Skender Canollit, i vë barrën se që gjatë vitit 2008 deri në vitin 2014 në cilësinë e personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, ashtu që nuk kanë zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje në pronën e Habib Vllasaliut.

Sipas aktakuzës kjo ka ndodhur pavarësisht faktit se i pandehuri Ismet Haliti është njoftuar në formën e shkruar nga inspektoret e ndërtimit se objekti duhet të rrënohet, mirëpo të njëjtit edhe përkundër njoftimeve nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me c’ rast i kanë mundësuar përfitim Habib Vllasaliut nga ndërtimet pa leje nga organi kompetent.